Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri, Albin Kurti, ka pranuar raportet zyrtare nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me vrasjen makabre të Arlinda Zekajt brenda shtëpisë së saj.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se të dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për gazetarë mëngjesin e së nesërmes për të shpalosur detajet e rastit.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk është përmendur fare çështja e përgjegjësisë apo shkarkimit të mundshëm të dy krerëve të dikastereve, me gjithë reagimet e ashpra publike për dështimin institucional në ofrimin e mbrojtjes për Zekajn.
Komunikata e plotë:
Zyra e Kryeministrit pranoi raportet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt
Prishtinë, 29 tetor 2026
Zyra e Kryeministrit sapo pranoi raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në lidhje me rastin e Arlinda Zekajt.
Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale.
Lidhur me këtë dhe veprimet e mëtejme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja Donika Gërvalla Schwarz dhe ministri Xhelal Sveçla do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media nesër në ora 9:00, në ZKM.