×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Qeveria Kurti “krye në vete” tenton ta ndryshoj ligjin për zgjedhjet lokale

Insajderi
05 May 2021 - 19:54
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Qeveria Kurti ka vendosur që të plotësoj-ndryshoj dy ligje që kanë rëndësi të madhe për qeverisjen lokale; Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale. Por këtë inicim të plotësim-ndryshimit të këtyre ligjeve qeveria nuk është duke e bërë në pajtueshmëri me të gjitha Komunat e Kosovës. Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal nuk ka informuar Kryetarët e Komunave për një inicativ të tillë.

Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësimin e tyre rreth këtij inicimi që vije nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dikaster ky i drejtuar nga Elbert Krasniqi, shkruan Gazeta Insajderi.

Në reagimin e asociacionit të komunave thuhet se plotësim-ndryshimi i këtyre ligjeve është një hap  i ngutshëm, duke theksuar se ata nuk janë informuar paraprakisht për një inicim të tillë.

“Ndryshimi i këtyre dy akteve me shumë rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal, nga Kryetarët e Komunave vlerësohet si hap i ngutshëm, sidomos kur kemi parasysh se ky është vit i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Ibrahimit.

Ibrahimi ka thënë se një proces i tillë duhet t’i paraprijë një konsultimi më të gjerë dhe përmbajtjesor.

“Kryetarët e Komunave kërkojnë të dinë më shumë për arsyet e nisjes së këtyre ndryshimeve sepse ne kemi qene komplet të anashkaluar nga ky proces i vendimarrajes, pra kjo ka ndodhur pa konsultime paraprake me akterët kryesor të qeverisjes lokale në Kosovë, Kryetarët e Komunave dhe komunat si të tilla”, thuhet në reagimin e kryetarit të asociacionit të komunave.

Mirëpo një gjë të tillë është duke e mohuar Elbert Krasniqi, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Ai në një prononcim për Gazetën Insajderi e ka kundërshtuar Ibrahimin duke thënë se ajo çfarë ka deklaruar kryetari i asociacionit të komunave të Kosovës nuk qëndron.

“Nuk është ashtu siç sot kishte thënë zotëri Ibrahimi, nuk është ashtu aspak mirëpo sidoqoftë është një debat që duhet të vazhdoj edhe pak është qysh unë po e thom. Mirëpo kuvendi është ai që vendos, por detyrë e mija është që unë t’i inicio dhe t’i planifikoj dhe mandej të plotësohen”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.  

Krasniqi ka thënë se ky ligj pritet të vijë vitin e ardhshëm dhe se nuk do të ndikojë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në shtator.

“Kjo pritet të bëhet vitin e ardhshëm ose pas zgjedhjeve ose fillon me grupe punuese mirëpo nuk shkon me kuvend, e jona është veç me bo propozimin e legjislaturës që duhet plotësohet ndryshohet edhe të shtohen ligje të reja ne kemi propozu edhe ligje tjera të ndryshohen”, ka thënë ministri.

Tutje, Kransiqi ka thënë se ky inicim nuk ka ardh nga ai por ka filluar vite më parë duke përmendur po ashtu se ky ndryshim i ligjit është në planprogramin qeverisës së Kurti.

“Nuk është që unë kam ardh ministër edhe kam fillu me i bo këto ndryshime është një inicativ e nisur ma herët. Në 2018 është bërë një vlerësim i ligjit për qeverisjen lokale edhe aty i kanë identifiku disa mangësi të këtij ligjit aktual për qeverisje lokale edhe është në mandatin tonë katër vjeçarë në planprogramin tonë që të plotësohet ndryshohet ligji për qeverisje lokale njëkohësisht edhe ligji për zgjedhje është vlerësua që duhet të plotësohet ndryshohet. Por sigurisht që nuk e afekton këto parë zgjedhje që duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Komunat nuk informohen nga qeveria për ndryshimin e ligjit për zgjedhje

Për ndryshim-plotësimin e këtij ligji kryetarët e komunave thonë se janë informuar prej mediave.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë për Gazetën Insajderi se për inicimin e këtij ligji janë informuar për forumeve që i kanë dhe përmes mediave.

Kastrati është shprehur se ky veprim i qeverisë është jashtëzakonsiht shqetësues pasi që sipas tij janë dy ligje themelore të pushtetit lokal.

“Prej mediave e kemi kuptu që është iniciuar një procedurë e tillë. Fare do të thotë asnjëri prej neve nuk është konsultu fare dhe kjo për neve është jashtëzakonisht shqetësuese edhe unë jam prej atynev që pres me u taku si këshill i kryetarëve të komunave edhe me diskutu për këtë çështje sepse nuk mundesh me ndryshu dy ligjet që janë themelore për pushtetin lokal të paktën pa e bo një konsultim me asociacionin e komunave edhe me kryetarët”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka treguar për Insajderin se është takuar me ministrin Krasniqi mirëpo nuk kanë diskutuar për ndryshim-plotësim të këtij ligji.

Muhaxheri ka kritikuar qeverinë duke thënë se: “ata si qeveri kanë mundësi me i bo, por nuk di qysh mujn me e bo pa diskutime paraprake”.

Nuk e di, sot në asociacion thanë që e kanë dërgua në qeveri këtë ligj. Jo as për ligjin për zgjedhjet lokale as për ligjin për vetëqeverisje lokale nuk jemi të informuar për kurgjo. Unë jam takuar me ministrin para tri katër ditëve kemi diskutu për një çështje tjetër për këta as nuk është qelë tema as nuk jam i informuar”, ka thënë Muhaxheri për Insajderin.

Po ashtu edhe Komuna e Podujevës, që udhëhiqet nga partia që është në pushtet nuk janë informuar për një gjë të tillë. Ata kanë treguar për Insajderin se janë informuar nga lajmet se do të bëhet një ndryshim i tillë duke thënë se do të largohet edhe balotazhi.

“Veç një lajm dje e kam lexu nuk kam inforomata më shumë, e pashe që po flitet me u largu balotazhi ma shume nuk kam info”, kanë thënë nga Komuna e Podujevës. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark