Qeveria shkarkon ekipin menaxhues për Asociacionin. Çfarë ndodhi mbrëmë në Bruksel? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Qeveria shkarkon ekipin menaxhues për Asociacionin. Çfarë ndodhi mbrëmë në Bruksel?

    Insajderi
    03 May 2023 - 08:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dje pasdite në Bruksel janë takuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, që sot u shkarkuan nga Qeveria.

    Çka tha Kurti pas prezantimit të draft-statuti për formimin e Asociacionit?

    “Qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, tha Kurti, duke iu referuar entitetit me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili gëzon kompetenca që e sfidojnë pushtetin qendror.

    Kurti tha se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

    “Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, tha Kurti, duke shfaqur shpresën se ai “do të trajtohet me seriozitet” nga ana e ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.

    Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet./Gazera Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    11 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark