×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Qeveria s’i ekzekuton milionat e premtuar për Telekomin, mbesin pezull disa projekte

Insajderi
08 October 2020 - 17:20
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Eros Klaiqi

Disa projekte investuese të cilat i ka paraparë t’i realizojë menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, kanë mbetur pezull shkaku i mosveprimit të Qeverisë së Kosovës.

Ekzekutivi nuk e ka miratuar ende një paketë financiare në formë të ndihmës për Telekomin, siç kishte premtuar Qeveria e Kosovës në muajin korrik.

Paketa financiare, sipas kërkesës së Telekomit të Kosovës, parasheh rreth 6 milionë euro ndihmë për Telekomin. Por, nga Telekomi kanë thënë se javën e kaluar kanë dorëzuar një raport të detajizuar për të përmirësuar gjendjen e rënduar në ndërmarrje.

“Ne ashtu sic kemi njoftuar javën që shkoj kemi dorezuar edhe raport të detajizuar tek aksionari për aktivitet që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren në vazhdimësi në perpjekje për ta përmirësuar edhe më shumë gjendjen financiare në kompani. Po presim edhe perkrahjen nga qeveria dhe kryeministri Hoti për të shkuar tutje me projekte kapitale me rëndesi jetike për Telekomin”, ka thënë Menduh Abazi, zyrtar për Informim në Telekomin e Kosovës.

Por, Qeveria e Kosovës ende nuk i ka ekzekutuar mjetet financiare të parapara për realizimin e projekteve teknologjike të Telekomit të Kosovës.

“Është ekzekutivi ai që mund të tregoj më shumë rreth kësaj cështjeje, por korporata ka nevojë immediate që qeveria ta kthej vemendjen kah ne dhe të jap ndihmën për realizimin e projekteve që janë dorëzuar tek aksionari dhe tek zyra e kryeministrit”, ka deklaruar Abazi.

Nevoja për miratimin e paketës financiare të premtuar nga Qeveria e Kosovës, është rritur “krahas rrezikut që ish-operatori “Z Mobile” të bllokojë llogaritë e Telekomit të Kosovës”, ka thënë Telekomi i Kosovës në një përgjigje për gazetën.

“Çështje tjetër që kërkon vëmendjen dhe ndihmen e menjëherëshme nga qeveria është edhe rasti me Z Mobile prej të cilëve jemi paralajmëruar prap se mund të na i bllokojnë llogaritë”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Edhe Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, shpreson se ekzekutimi i mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës do të krijonte stabilitet financiar për ndërmarrjen.

Në një bisedë telefonike për Insajderin, Balaj ka paraparë se paketa financiare do të krijonte kushte që Telekomi i Kosovës të pavarësohej financiarisht brenda gjashtë muajsh.

“Kohën e fundit ne kemi pasur rënie të shërbimeve dhe është më se urgjente investimi në teknikë, i cili e nxjerr ndërmarrjen në një plus brenda gjashtë muajve, në të cilën periudhë Telekomi do të pavarësohej financiarisht dhe brenda vitit mund ta paguajë dividentën”, ka thënë Balaj.

Telekomi i Kosovës, aksionar i së cilës është Qeveria e Kosovës, nuk ka investuar në projekte të zhvillimeve të teknologjisë qe gati pesë vjet.

Si pasojë e kësaj situate ka rrjedhur kërkesa e ndërmarrjes publike për ndihmën financiare, ka deklaruar Balaj për Insajderin.

“Ka qenë kërkesë e jona që me na dhënë një ndihmë që me investu në pajisje. Është përmendur një shifër rreth 6 deri 7 milionë. Ka qenë po më duket fillimi i korrikut kur janë bllokuar xhirollogaritë ndërkaq takimi pati ndodhë më 15 korrik”, ka nënvizuar ai.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, Telekomi i Kosovës i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Dividenda, sipas ligjit, ndahet në rast se kompania përkatëse shënon rezultate të mira financiare.

Këto mjete, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015, kur edhe ka filluar kriza finaciare në Telekom.

Përkundër këtyre përfitimeve që gjeneronte Telekomi i Kosovës, kjo kompani ka filluar të përballet me një situatë të rënduar financiare si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë e nepotizmit. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark