Shkarkimi i Shemsi Hazirit nga pozita e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve la hapësirë interpretimi se pushteti po e kursen ambasadorin kosovar në Kroaci, Martin Berishaj, të dyshuar për skandalin financiar të qindra-mijëra eurove.
Haziri, i cili po udhëhiqte hetimet edhe kundër kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut Nagip Krasniqit, e ka konfirmuar dje se i ka ardhë vendimi për shkarkimin e tij nga pushtetarët, shkruan Gazeta Insajderi.
Shkarkimi i tij ka nxitur reagimin e partive opozitare, të cilët e panë këtë veprim si tentim për mbrojtje nga drejtësia e Berishajt dhe e Krasniqit.
“Qenka raportuar se Shemsi Haziri, udhëheqësi i task forcës që ka hetuar Nagip Krasniqin dhe Martin Berishajn për korrupcion qenka shkarkuar me urdhër nga eprorët politik. Mbyllni sytë për një moment, dhe imagjinojeni sikur diçka të ngjashme të kishin bërë qeveritë e kaluara. “Krejt dhe drejt” totalitarizmit”, deklaroi nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku pas shkarkimit.
Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, shkarkimin e Hazirit e ka vlerësuar si kapje të shtetit.
“Sot u raportua që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shkarkuar nga detyra Shemsi Hazirin, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish Task Forcës kundër Korrupsion) brenda Policisë së Kosovës. Derisa arsyet pët këtë s’janë dhënë, ajo që dihet është se po bëhet fjalë për ekipin që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Një gjë e tillë veç rastësi nuk duket. Ky pushtet në krye me Kurtin që nga fillimi i ka mbrojtur me çdo mjet edhe Martin Berishajn edhe Nagip Krasniqin. Tash po përdoren edhe mekanizmat e shtetit për të ua mbuluar dallaverat këtyre dy personave. Ky është tamam definicioni i kapjes së shtetit. Ky është pushteti që iu shërben tregtarëve të energjisë”, ka shkruar Azemi.
Në anën tjetër, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, e ka quajtur ndërhyrje të pastër politike të Qeverisë shkarkimin e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve.
“Shkarkimi i Drejtorit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve tregon se kjo Qeveri dëshiron të mbroj më çdo kusht njerëzit e saj që janë nën hetime për korrupsion, dhe këtë po e bënë duke ndërhyrë në mënyre të papranueshme në procesin e hetimit ndaj tyre. Ky shkarkim shpjegon arsyen dhe motivet e vërteta pse Kryeministri Kurti dhe kjo Qeveri sulmonte prokurorin e shtetit me aq brutalitet pak ditë pas arrestimit të Nagip Krasniqit”, ka thënë Gruda. “Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heq dorë nga ndërhyrjet politike në organet që po zhvillojnë hetimet dhe t’i hap rrugë zbardhjes së kësaj afere. Me lejoni të jem i qartë për të gjithë nuk ka forcë që mund të mbylle dhe heshtë aferën korruptive të Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqi. Qytetarët e Kosovës do ta marrin vesh herët apo vonë të vërtetën e këtij skandali korruptiv”, ka shtuar ai.
Krejt kjo lëvizje politike duket se po i shkon për shtati më së miri Berishajt. Për të, gazeta sllovene më herët raportoi për përfshirje në një skandal financiar prej 600 mijë eurosh.
Insajderi kishte raportuar se firmës “MB Consulting” te Martin Berishajt, i ishin bllokuar xhirollogaritë.
Mbi 600 mijë euro nga kompania GEN-I, dega ne Beograd ishin transferuar te firma “MB Consulting”, prone e ambasadorit kosovar ne Kroaci.
Televizioni Planet TV raportoi se ato ishin dhënë për të ndikuar në procesin zgjedhor në Slloveni.
Deri tash Ambasadori Berishaj ka mohuar këtë pjesë por nuk ka treguar se përse u pagua nga GEN-I Beograd, dhe se pse i tërhoqi ato para dhe ku i dërgoi ato. /Insajderi.org/