Insajderi
Lajme

QKUK realizon me sukses ndërhyrjen e avancuar për frakturën komplekse të pelvikut

Insajderi
27 August 2026 - 16:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
QKUK realizon me sukses ndërhyrjen e avancuar për frakturën komplekse të pelvikut
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e avancuar për trajtimin e një frakture komplekse të pelvikut, të tipit Tile C, te një pacient 50-vjeçar.

Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrja është kryer përmes fiksimit perkutan, një teknikë minimalisht invazive që mundëson stabilizimin e strukturave të dëmtuara përmes prerjeve shumë të vogla.

Kjo metodë, siç thuhet, redukton dëmtimin e indeve të buta dhe humbjen e gjakut gjatë operacionit. Për pacientin, kjo mund të nënkuptojë më pak dhimbje pas ndërhyrjes, rikuperim më të shpejtë, mobilizim më të hershëm dhe qëndrim më të shkurtër në spital.

Ndërhyrja është realizuar nga ekipi operator i Klinikës së Ortopedisë, i përbërë nga dr. Bujar Shabani, dr. Nderim Salihaj dhe dr. Dafina Bytyqi, në bashkëpunim me ekipin e Anestezionit, dr. Arben Ahmeti dhe dr. Pranvera Bajrami.

Në përbërjen e ekipit mbështetës ishin instrumentarja Donjeta Hamiti dhe teknikja e anestezionit Mirlinda Bytyqi.

“Realizimi i kësaj ndërhyrjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e trajtimit kirurgjikal të traumave dhe frakturave komplekse të pelvikut në QKUK, duke dëshmuar përkushtimin e stafit shëndetësor për aplikimin e metodave moderne dhe minimalisht invazive në praktikën klinike. Mundësi e re për trajtimin e pacienteve që do të kenë nevojë në të ardhmen për këtë procedurë shumë të avancuar!”, bëri të ditur QKUK në Facebook.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark