Qosja: Qeveria është zyrtarisht fashiste - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qosja: Qeveria është zyrtarisht fashiste

    Insajderi
    16 February 2016 - 20:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Akademik Rexhep Qosja ka reaguar sërish ndaj Qeverisë së Kosovës. Një ditë para se shteti të festojë 8 vjetorin e Pavarësisë dhe opozita të mbajë protestën kundër Qeverisë, Qosja ka shkruar se regjimi i sotëm në Kosovë ka hyrë në fazën e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin që po zbaton dhe këto metoda fashiste nuk po i përdor vetëm sot.

    Sipas akademikut, papërgjegjshmëria, shantazhet, gënjeshtrat, kërcënimet, përjashtimet prej pune të familjarëve të kundërshtarëve politikë janë vetëm disa përbërës të metodave fashiste të këtij pushteti.
    Sipas tij dëshmi e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës sot janë mbledhjet e parlamentit në të cilat gati sa deputetë marrin pjesë policë në uniforma dhe në veshje civile.

    Dëshmi posaçërisht e egër e zbatimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës sipas Qosjes, janë burgosjet e deputetëve dhe të aktivistëve të Opozitës që tash e sa kohë po urdhëron Qeveria e Kosovës.

    Ai ka përmendur thirrjen në seancë të Albin Kurtit, deputeteve Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli, dhe arrestimin e  shefit të grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe shtatë aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.

    “Metodën fashiste të arrestimit të tyre e bënë sa brutale aq edhe komike si “vonesa” ashtu edhe arsyeja e arrestimit të tyre: ata u arrestuan sepse në vitin 2009 i paskan rrotulluar disa xhipa të EULEX-it dhe i paskan rrotulluar për shkak se EULEX-i kishte bërë marrëveshje me Policinë Serbe”, ka shkruar Qosja.

    Për Qosjen, nuk ka dyshim se qëllimi i arrestimit të tyre është dobësimi sa më i dukshëm i protestës së nesërme në njërën anë, kurse frikësimi i pjesëmarrësve si dhe i atyre që kanë menduar të marrin pjesë në protestë, në anën tjetër.

    “Kur burgosen aq lehtë, e në mënyrë aq fashiste krerët e opozitës, çka mund t’u ndodhë qytetarëve të tjerë”, ka shkruar Qosja, duke shtuar se të këqijat politike parandalohen vetëm para se të institucionalizohen.

    “E zbatimi i metodave fashiste në pushtetin e sotëm të Kosovës ka hyrë në fazën e institucionalizimit”, ka përfunduar Qosja.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark