×
  • Lajme
  • Lajme

    Quni: Presidenti të bëhet dëshmitar bashkëpunues për vrasjet e pasluftës

    Insajderi
    19 October 2016 - 20:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka komentuar letrat e dërguara nga Presidenti i Kosovës në adresë të Prokurorisë ku ai kërkon zbardhjen e shumë rasteve të pazgjidhura deri më tani.

    Është ndalur më shumë tek letrat në të cilat presidenti Hashim Thaçi i kërkon Prokurorisë të zbardhë rastet e vrasjeve të pasluftës ku janë vrarë shumë zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Insajderi.

    Por sipas Qunit, Thaçi duhet të ketë më shumë se kaq guxim nëse dëshiron të zgjidhen këto raste.

    Madje ka thënë se presidenti duhet të jetë edhe dëshmitar në këto procese.

    “Të ofrojë të gjitha faktet dhe argumentet. Jam i bindur që i ka sepse ka qenë detyra e tij, edhe për vrasjet e pasluftës”, ka thënë Quni në emisionin “Rrokum Roll”.

    Sipas tij, Thaçi ka ushtruar rol të rëndësishëm në ushtri por edhe në politikë dhe ka qenë i “afërt me disa shërbime të inteligjencës dhe padyshim posedon edhe informata”.

    “Përpos kërkesës ai ka mundësinë që të ofrojë dëshmi, dhe të jetë dëshmitar dhe të gjitha njohuritë që i ka ra për rastet veç e veç t’ia dorëzoj prokurorisë. Pra jetë bashkëpunues”, ka thënë Quni.

    Ai ka ripërsëritur idenë se Thaçi ka informata të tillë.

    “Pas lufte ne kemi kuptuar se ekziston një shërbim i njohur si SHIK, i drejtuar nga z.Veseli të cilët siç thonë ata kanë qenë në shërbim të çështjes dhe kauzës kombëtare. Nuk dua të paragjykoj por do ta inkurajoja që të ketë guxim që të gjitha informatat që posedon t’ia ofrojë si dëshmi”, ka thënë Quni.

    Ai madje ka thënë se presidenti ka në rrethin e tij njerëz që apostrofohen si të dyshuar se kanë gisht vrasjet e pasluftës.

    “E ka një rreth të shokëve që janë apostrofuar që kanë gisht në ngjarje të ndryshme likuidime të personaliteteve politiko-ushtarake. Duhet të dimë a kanë qenë të përfshirë apo jo? Nëse kanë qenë duhet të dihet arsyeja”, ka thënë Quni.

    Deputeti Quni edhe më herët kishte përmendur Thaçin si personaliteti që ka informacione për këto vrasje madje duke e lidhur edhe SHIK-un e drejtuar nga Kadri Veseli, që tash drejton Partinë Demokratike të Kosovës./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark