×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Qysh me prit me gjetë paqe e drejtësi, kur para padrejtësive po heshtim me indiferencë?!

    Insajderi
    08 September 2022 - 11:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Florentina Osmani

    Qysh me guxu me pritë ditë ma t’mira n’shoqninë tonë?!.

    Qysh me guxu me mendu që ditë ma t’mira kanë me ardhë, me këtë lloj mentaliteti t’egër që po na vret çdo ditë?!.

    Qysh me prit me gjetë paqe e drejtësi, kur para padrejtësive po heshtim me indiferencë?!.

    Qysh po guxojmë me jetu me frymën helmuese t’edukatës t’djemve si krijesa t’privilegjume, e po rrisim monstra që po vrasin femra e fëmijë çdo ditë?!.

    Qysh po ia lejojmë vetes që edhe n’këtë shekull e n’vitin 2022, me na shkatërru pabarazia që vet e kemi mbjellë?!.

    Kur ka me ardhë dita me pa fëmijë t’edukum drejtë, n’frymë t’barazisë e t’drejtësisë, t’dashnisë e t’respektit, t’vlerësimit e t’edukatës, fëmijë këta që si t’rritun dikur kanë me kriju brez t’ri t’nji bote ma t’mirë të cilën e meritojmë?!.

    Kur ka me ardhë dita me ndëgju biseda t’shnosha e fjalë pa paragjykime, që na kanë lanë mbrapa me shekuj prej botës së civilizume?!.

    Kur ka me ardh dita që shoqnia jonë mos me i amnistu kriminelat me gjuhën patriarkale, egoiste, me ngjyra t’theksume t’injorancës s’thellë t’mbjellun e t’kultivume ndër kohna?!.

    A kemi me e pritë ditën kur viktimat nuk kanë me u riviktimizu prej gojëve t’liga me mendje bosh, që e luajnë gjykatësin e prokurorin, e nuk janë n’gjendje me jetu as jetën e vet qysh duhet?!.

    A kemi me e prit ditën kur gjyqësia jonë nuk ka me prodhu vendime që shkelin të drejtat e njeriut, e përdorin gjuhën ma t’ultë t’shoqnisë n’frymë t’sundimit t’burrave t’u e shkelë figurën e femrës, t’fëmijës, t’nanës a t’motrës t’dikujt?!.

    Edhe sa kohë kanë me prodhu universitetet tona kuadro veç numra, e kanë me i pajisë me diploma njerëzit e pa edukatë, t’pa dinjitet, me mendje t’mbyllun e t’mykun?!.

    Kur ka me ardh ajo ditë që secili me mujt me vesh i lirë çka t’don, e mos me iu cenu e drejta e mbulesës asaj që don me iu përkushtu ideologjisë s’vet, ashtu sikur nji tjetër e veshun shkurt që për të s’ka pengesa se pak a shumë pamja e saj është “ushqim i syve” për ujqërit përreth, prandaj edhe nuk paraqet pengesa?!.

    Kur vjen dita me i ndëgju njerëzit tu e fol t’vërtetën, atë çka kishin pas qef me ndëgju prej tjetrit, pa i hedhë asnjeriut shigjeta fjalësh, pa u mundu me shtyp tjetrin me tendencë me u ngritë nji shkallë ma naltë për veten?!.

    A kemi me përjetu ditën kur kemi me u zgju nji mëngjes e mos me ndëgju akte t’tmerrshme të dhunës n’familje, e me fillu me besu që ka hala njerëz t’mirë n’këtë botë që e çmojnë amanetin e kallxojnë çka do me thanë me dashtë me t’vërtetë?!.

    A vjen dita kur edhe burri ka me marr pjesë aktivisht n’jetën e vet familjare, me ia lehtësu gruas s’vet ngarkesat e obligimeve t’shpisë, t’fëmijëve e t’familjes, pa u gjyku e pa u përqesh?!.

    A vjen dita mos me pas frikë me rritë fëmijë n’shoqninë tonë, në nji shoqni që as vetes t’mirën nuk është t’u ia dashtë?!.

    A e pret dikush atë ditë kur ka me u vlerësu njeriu si i tillë, me krejt çka ka, e s’ka me u nënçmu as “vlerësu” për qef e teke t’askujt?!.

    A ka me ardh dita kur ke me mujt me shprehë lirshëm mendimin tënd, pa ndëgju më pas fjalë të tipit “ju ka rritë menja”, “për tokë s’po prek, kishe e kom kry ni shkollë”, “ish e shtirë, qehrën e randë”, “eh çfarë vakti u ardh, n’vakt tonin s’kena guxu me qu kryt”… veç pse e vërteta s’po iu konvenon, se t’u e thanë t’vërtetën po iu prish plane atyre që janë frymëzu e “eduku” tu e shtyp tjetrin?!.

    A kemi me i pritë ato ditë, kur s’ka me pas nevojë me qajtë nanat as familja kur vjen koha me martu çikën, me dhimbje e me ndrojtje n’çfarë familje ka me shku, e me çfarë njerëzish ka me u përballë, t’u e ditë qysh janë trajtu ndër kohna n’shumicën ma t’madhe t’rasteve gratë veç si objekte edhe si vegla që flasin, e s’kanë pas drejtë as me u lodhë as me u anku?!.

    A vjen dita kur nusja e djalit ka me pas respektin e çikës s’shpisë, e dhimbjen e njejtë për sfidat e jetës, thjeshtë se është njeri e mos me harru që Zoti sheh e mbanë shënime, e me kujtu gjithmonë që “padrejtësia ka me qenë errësirë n’ditën e ringjalljes”, e për t’padrejtët është përgatitë denim i dhimbshëm?!.

    Kur vjen dita që çika n’shpi t’vet, me i gzu krejt t’drejtat e Zotit e t’ligjit, e me qenë krenarë familja e vet s’pari për ekzistencën e saj, me e vlerësu si bekim ardhjen e saj n’jetë, e me iu gzu sukseseve t’saj njejt si për djalë, e me dhanë ma t’mirën për ma t’mirën e saj, mos me mendu veç qysh me ia gjetë nji burrë, e me hjek prej shpisë me iden që “çika lind n’shpi t’huj, e shkon e vdes n’shpi t’vet”?!.

    Kur kanë me kuptu krejt ata prindër që nuk e dinë, se çika duhet me trashëgu prej familjes s’vet pjesën që e meriton, qashtu qysh thotë Zoti e ligji, se kur e vlerëson ti si prind, ia shton vetbesimin, e praktikisht ajo bahet ma e fortë përballë çdo furtune që sjell jeta, e nesër nëse dallga e jetës e përplasë në brigje t’pa favorshme, me ditë që nuk është vet, që dikush i shtrenjtë për të ia ka dhanë krahtë me u përballë me gjithçka që jeta sjell?!.

    Kur kanë me e kuptu krejt ata që nuk e dinë, se martesa nuk është veç për “Me ia mshel hallkut gojën”, po është nji prej proceseve ma t’rëndësishme në të cilin njeriu zgjedh personin e duhur me i kalu krejt t’mirat e t’kqijat që jeta na i ka rezervu, e për ma shumë duhet me ditë që njerëzit e duhur nuk gjenden lehtë?!.

    Kur kanë me e kuptu krejt ata që nuk e dinë, që nuk është e nevojshme me ndërtu krejt jetën tande në bazë të rregullave të të tjerëve, nëse ato rregulla nuk t’bien ty për shtati?!.

    A kanë me arritë me kuptu pjesa ma e madhe e shoqnisë tonë, që nuk është e nevojshme me ba shpenzime t’kota veç pse filani i ka ba, e me kalu krejt jetën n’përpjekje me u dukë si tjetri, ndonëse rrethanat tua nuk janë si “t’filanit”?!.

    A kanë me arritë me qenë t’lirë njerëzit me vepru n’harmoni me ndjenjat e veta, pa ia përcaktu rrethi e shoqnia normat e ndërtimit t’jetës s’vet?!.

    A e presim ditën kur s’ka me u përzi tjetri n’jetën e nji qifti, e n’planet e tyne, pa ua rëndu jetën me pyetjet: “kur po martoheni”, “kur e keni plan me bo fmijë”, “kur po ia boni djalit ni motër”, “Kur po ia boni motrës ni vlla”, “vllau pa vlla s’bon”, “motra pa motër s’bon”, “a s’po muni me bo fmi a”, “mere nji tjetër gru se ti je i ri, s’bon me met pa fmi”, “mere nji tjetër gru, se kjo e jotja s’po bon djalë, e shpia pa djalë është shpi e pa zot”?!.

    Edhe sa çifte duhet me u nda për shkak t’ndikimit t’rrethit, e t’ndërhyrjeve e pyetjeve pa mbarim, e pengesave t’ndryshme për shkak t’interesave t’disave që nuk i intereson jeta jote, por planet e veta?!.

    Edhe sa kohë duhet shoqnia edhe “normat” e saj me t’a përcaktu kur martohesh, kur hyn n’punë, kur bon fëmijë, qysh i edukon ata, qysh e ndërton krejt jetën?!.

    Kur ka me ardh koha mos me u paragjyku nji femër e shkollume, për mënyrën se qysh ka arritë me u avancu, pa thënje të tipi: “Ku me ditë qysh ka mrri ajo atje”, “I kish ndreq puntë me shefin”, “E kanë zgjedh n’punë se është e bukur”, “so kjo punë për çika”…?!.

    A vjen koha që ai njeri që nuk i fut hundët n’punën e tjerëve, e i sheh veç puntë e veta e mbanë qëndrim, mos me u qujtë mendjemadh?!.

    A e presim ditën që njeriu mos me u vlerësu sipas horizontit të dijes së tjetrit, mos me t’përcaktu askush atë që je ti sipas disponimit personal t’atyne që ushqim e kanë mu marr me jetën e dikujt?!.

    Kur ka me u vlerësu heshtja e dikujt që nuk don me u përzi n’jetën e dikujt tjetër, e për shkak t’edukatës së tij/saj t’duhun don me lanë t’lirë familjarin, shokun, shoqen prej pyetjeve e pse-ve, e jo me u interpretu si “I vjen inati për qata nuk vetë”?!.

    Kur mundet mendja e disave me pranu që mendimi i tyne, nuk paraqet të vërtetën absolute të ekzistencës së jetës në tokë?!.

    A ka me ardhë nji gjeneratë e re nënash, që kanë me i eduku t’vegjlit e vet n’atë formë që, mos me ia leju vetes ai fëmijë as si fëmijë as si i rritun me bullizu tjetrin, mos me gjyku sikur vet me qenë krijesa e përkryer e Zotit?!.

    Kur kanë me fillu me u frymëzu gjeneratat e reja n’atë formë që me vlerësu shëndetin e dashninë si bekimet ma t’mëdha t’jetës?!.

    A vjen dita mos me ndodhë me u formu shumica e relacioneve njerëzore veç n’frymë t’interesit, t’përfitimeve, e t’zhveshun prej krejt virtyteve njerëzore?!.

    A vjen dita që mos me u pa tjetri veç si xhoker ndihmës, ashtu si n’lojë me karta, po me e vlerësu secilin veç si njeri i Zotit, familjar, mik, kolegë, pa mendu gjithmonë veç qysh me përfitu prej tij/saj?!.

    A presim ditën kur meritokracia ka me pas vend, kur ka me u vlerësu qysh duhet studenti që e meriton, puntori që e meriton, ambiciozi që e meriton, secili n’lëminë që meriton me marr çka meriton, pa dallavere e interesa t’ndyra?!.

    A vjen dita kur edhe ata njerzit e mirë, t’sinqertë e t’ndërtum n’virtyte t’nalta njerëzore, t’fjalës e t’meritave, t’dijes e t’shkencës, t’zhveshun nga interesat egoiste… me u dallu prej masës e me u vlerësu qysh e meritojnë, mrena kësaj shoqnie që t’kqijat e kanë mbulu, e zor edhe kur i takojmë këta njerëz me i besu, që ndonëse janë vërtetë pak, EGZISTOJNË?!.

    Ndërroni krejt ideologjitë e mbrapshta që deri sot na kanë sjellë veç t’liga e telashe, se bota ka nevojë për shoqni me mendje të shëndoshë e përparimtare, koha e shoqnive të paranojave ka perënduar, sa më herët që e pranojmë se kemi gabuar ndër gjenerata hapim rrugë për jetë më të mirë në spektrin e përgjithshëm!.

    *Florentina Osmani, është juriste

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark