Qytetarët e Maqedonisë votojnë sot për zgjedhjet parlamentare - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qytetarët e Maqedonisë votojnë sot për zgjedhjet parlamentare

    Insajderi
    11 December 2016 - 08:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni kanë nisur dje me votimin e diasporës, personave me nevoja të veçanta, të sëmurëve dhe atyre që janë duke vuajtur dënimin me burgim, të cilët të drejtën e votës e realizojnë një ditë para zgjedhjeve të së dielës.

    Ndërsa sot, duke filluar nga ora 07:00, në gjithë territorit e Republikës së Maqedonisë ka filluar procesi zgjedhor.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë ditës së premte ka ndërhyrë dy raste në qytetet Koçan dhe Kavadar, ku ka ndaluar disa persona që sipas policisë, ofronin para për blerje të votës. Sipas Kodit Penal, për mashtrime zgjedhore parashihen dënime të ashpra, jo vetëm me para, por me burgim prej 3 deri në 5 vjet.

    Në një paraqitje para opinionit, presidenti Gjorge Ivanov, ka ftuar të gjitha subjektet e përfshira në procesin zgjedhor që të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit të votimit.

    “U bëj thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në procesin zgjedhor, të tregojnë nivel të dinjitetshëm, kulturë demokratike dhe të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Gjithashtu, u bëj thirrje institucioneve të angazhuara për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që të veprojnë në përputhje me ligjin, të mos u nënshtrohen presioneve si dhe të mos ketë tolerancë dhe mëshirë ndaj atyre që në forma të ndryshme përpiqen të pengojnë procesin zgjedhor”, ka deklaruar Ivanov.

    Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike, thonë se zgjedhjet e së dielës janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, në veçanti mbarëvajtja e tyre, pas disa cikleve zgjedhore të kontestueshme që sollën afera dhe krizën më të rëndë politike që nga pavarësia e Maqedonisë.

    “Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme, ndoshta edhe më të rëndësishme se sa zgjedhjet e para në sistemit shumëpartiak, madje mund t’i krahasoj me referendumin për pavarësi të Maqedonisë”.

    “Nga e hëna Maqedonia ka mundësi të ketë një pamje të re në integrimet euroatlantike, qytetarët e këtij shteti pavarësisht përkatësisë të tyre etnike, maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, romë e të tjerë do të kenë shansin të ndërtojnë një shtet si të tyrin, me një ekonomi të shëndoshë dhe mirëqenie ekonomike. Pra mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin”, vlerëson Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Shkupit.

    Bashkim Selmani, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Tetovës konsideron se me rëndësi është që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë demokratike, por pavarësisht kësaj ai vlerëson se dallimet mes grupet politike do të vazhdojnë edhe më tej të jenë të pranishme për shkak të rezultateve të paparashikuara nga votimi i së dielës.

    “Të dyja palët do të kenë fërkime shumë të mëdha se cila do të arrijë të mbijetojë dhe në një situatë të tillë vlerësoj se do të jetë faktori ndërkombëtar ai që do të dalë me një zgjidhje ose t’i përfshijë në një koalicion të gjerë apo të zgjeruar dhe sërish të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, thotë Selmani.

    Të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës kanë rreth 1.8 milionë shtetas të Maqedonisë, të cilët pritet të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetësh.

    Zgjedhjet do të mbikëqyren nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Ato mbahen sipas sistemit proporcional me listat të mbyllura në gjashtë njësi zgjedhore, ku në çdonjërën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë., shkruan Express.

    Në garë për këto mandate janë 11 lista të partive politike.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark