Rreth orës 17:00, qytetari A. Rama është paraqitur në stacionin policor, duke njoftuar se në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime kishte gjetur një portofol të humbur.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në prani të zyrtarëve policorë është bërë kontrollimi i portofolit, ku janë gjetur dokumente personale, përfshirë patentë shoferi, letërnjoftim, kartelë bankare, si dhe para në vlerë prej 90.65 euro.
Pas verifikimeve të nevojshme, policia ka arritur të identifikojë pronarin e portofolit, H.D., i cili është njoftuar dhe më pas është paraqitur në stacionin policor për ta tërhequr atë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rama për ndershmërinë dhe bashkëpunimin me policinë, duke e vlerësuar këtë rast si një shembull të mirë të qytetarisë dhe përgjegjësisë shoqërore.
