Forcat ruse dhe iraniane kanë paralajmëruar presidentin amerikan Donald Trump se do të kundërpërgjigjen me aksione ushtarake, nëse ai kryen sulme të tjera ajrore në Siri.
Në një kërcënim të drejtpërdrejtë që ngre perspektivën e luftës, ata thanë se presidenti amerikan kishte kapërcyer “vijën e kuqe” me bombardimin e tij të papritur mbi forcat e Bashar al-Assadit.
“Nga tani e tutje, ne do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo shkeljeje të ‘vijës së kuqe’ dhe Amerika i njeh aftësitë tona për të reaguar”, thanë shefat ushtarakë në një deklaratë të përbashkët me grupin militant Hezbollah.
Ambasada ruse në Londër, ndërkohë, tha se do të kishte luftë të vërtetë nëse Moska vihet përballë një ultimatumi mbi Sirinë. Por, Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson do të kërkojë që Rusisë t’i vendosen sanksione të reja, nëse nuk rresht së mbështeturi Assadin.
Në një takim të G7-s në Itali, Johnson do të kërkojë që Moska të kërcënohet me izolim nga komuniteti ndërkombëtar dhe një seri ndëshkimesh ekonomike. Kremlini është përgjigjur duke thënë se Britania nuk ka asnjë ndikim real në kursin e çështjeve ndërkombëtare, kjo pasi Johnson anuloi një udhëtim të planifikuar në Moskë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon tha një ditë më parë se Rusia është përgjegjëse për çdo civil të vdekur në sulmin me armë kimike të Assadit mbi vet popullin e tij. Amerika ka paralajmëruar Moskën se përballet me pasoja, nëse nuk tërhiqet nga mbështetja e regjimit vrasës të Assadit.