Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se muri në veri nuk do të rrënohet, mirëpo, sipas tij, ai do të ridizajnohet, ku do të ndërtohen edhe shkallët.
Rakiq ka shtuar se për këtë gjë janë marrë vesh me bashkësinë ndërkombëtare dhe me palën kosovare.
“Nuk do të ketë rrënim të këtij muri, por do të ketë një ridizajnim të tij, çka do të thotë se do të jetë më i ulët dhe për këtë jemi marrë vesh si me bashkësinë ndërkombëtare, ashtu edhe me palën kosovare”, ka deklaruar ai për Zërin.
Madje, sipas tij, ky mur do të rezultojë me një projekt shumë të bukur, i cili nuk ka të bëjë fare me ndarjen.
“Nuk dua të flas për murin si diçka negative apo ndarëse. Ky mur nuk ka të bëjë me ndarje, por është pjesë e një shëtitoreje e cila do të jetë mjaft e bukur për sy, por edhe për ata që do ta shfrytëzojnë, pasi do të ketë edhe shkallë”, ka shtuar kryetari i Mitrovicës së Veriut.