Lufta është duke u zhvilluar e ashpër në lindje të Ukrainës ku rusët dhe ushtria vendase janë duke u përballur në një distancë të vogël për kontrollin e qytezave. Fronti është aktualisht në Severodonetsk, një zonë kyçe për kontrollin e Donbasit.
Ndryshe nga fronti i Kievit, rusët duken disi më të organizuar në lindje duke marrë pak nga pak zonat nën kontroll. Ekspertët e luftës vlerësojnë se nëse rusët marrin Severodnetskun dhe zonat përreth, atëhere e kanë hapur rrugën për kontrollin e Donbasit duke përmbushur kështu një ndër synimet e para të Putinit mbi luftën në Ukrainë.
Aktualisht, rusët kanë nën kontrolle dhe rajonet jugore të Ukrainës siç janë Khersoni bashkë me rrethinat krahas Krimesë së aneksuar.
Gjatë ditës së sotme në Ukrainë janë edhe kryeministrat Rama dhe Abazoviç pas një fluturimi që bën bashke me të njëjtin avion dhe 12 orëve rrugëtim me tren.
Rama është i shoqëruar nga ministrja Spiropali, ndërkohë që për sigurinë e tij atje janë përgjegjëse Forcat Speciale RENEA.
Ndiqni më poshtë gjithçka ka ndodhur sot në Ukrainë:
Ukraina ka publikuar shifrat e përditësuara të humbjeve ushtarake ruse që prej fillimit të Luftës Rusi-Ukrainë, 24 shkurt. Sipas zyrtarëve ukrainas, ushtria e tyre ka vrarë më 32.750 rusë, sipas skynews.
Ukraina pretendon se të paktën 250 ushtarë rusë janë vrarë në konflikt në 24 orët e fundit. Sipas raportit të ushtrisë, Ukraina ka shkatërruar 1.440 tanke, 3.528 automjete të blinduara, 722 sisteme artilerie, 230 raketahedhës, 97 sisteme të mbrojtjes kundërajrore.
Gjithashtu, forcat ukrainase kanë shkatërruar 213 avionë, 178 helikopterë dhe 591 dronë.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas bëjnë me dije se 313 fëmijë janë vrarë dhe 579 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës ruse në Ukrainë. Sipas autoriteteve shumica e viktimave të fëmijëve u regjistruan në rajonet e Donetsk, Kharkiv , Kiev , Chernihiv , Luhansk, Kherson dhe Mykolaiv.
Lufta në Ukrainë ka shkaktuar dëme të rënda, miliona qytetarë janë larguar nga vendi për t’i shpëtuar bombardime ruse.
Rusia u ka thënë forcave ukrainase të strehuara në një fabrikë kimike në qytetin e goditur të Severodonetsk që të dorëzojnë armët, duke nxitur avantazhin e saj në betejën për kontrollin e Ukrainës lindore.
“Luftëtarët duhet të ndalojnë rezistencën e tyre të pakuptimtë dhe të dorëzojnë armët nga ora 8 e mëngjesit me orën e Moskës”, tha për agjencinë e lajmeve Interfax Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës së Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë.
Civilët do të largoheshin përmes një korridori humanitar, tha Mizintsev.
Ukraina thotë se më shumë se 500 civilë janë bllokuar së bashku me ushtarët brenda fabrikës kimike Azot, ku forcat e saj i kanë rezistuar javëve të tëra bombardimeve dhe sulmeve ruse që kanë rrënuar pjesën më të madhe të Severodonetsk.
Përparimi i forcave ruse në Donbas është shoqëruar me thirrjen e zyrtarëve të lartë ukrainas, të cilët kanë bërë thirrje për më shumë armë nga Perëndimi, sipas BBC.
SHBA dhe Britania e Madhe tashmë janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me një numër të vogël raketash. Por Ukraina ka deklaruar se ka nevojë për më shumë armë. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin do të kryesojë një takim në Bruksel të grupit më të mad prej pothuajse pesëdhjetë vendesh, të angazhuar për të mbështetur Ukrainën dhe për të disktutuar se çfarë mund të bëhet më shumë.
Ministrat e NATO-s do të diskutojnë gjithashtu kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësimin në NATO.
Turqia megjithatë ka thënë se do të shtyjë aplikimin e tyre për më shumë se një vit nëse nuk i jepet garancia se shqetësimet e saj në lidhje me mbështetjen për separatistët kurdë do të marrin zgjidhje.
Severodonetsk është përballur me sulmet e vazhdueshme të forcave ruse gjatë javëve të fundit ndërsa rreth 80% e zonës tani kontrollohet nga Moska, sipas skynews.
Rusia tha se një korridor humanitar do të hapet për 12 orë nga ora 08:00 me orën e Moskës, duke i zhvendosur njerëzit në veri në territoret e pushtuara. Kjo është hera e parë që tentohet hapja e një korridori humanitar nga Severodonetsk.
Ndërkohë, Moska u ka bërë thirrje forcave ukrainase në uzinën kimike Azot të dorëzohen. Rreth 12,000 persona kanë mbetur të bllokuar, duke përfshirë disa qindra që janë të strehuar në uzinë.
Severodonetsk është shkëputur kryesisht nga pjesa tjetër e Ukrainës pasi forcat ruse shënjestruan tre ura kryesore që e lidhin atë me rajonin e Luhanskut.