Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit të Financave, Hekuran Murati, për bllokimin e buxhetit të kryeqytetit, shkruan Insajderi.
Në një postim të publikuar në Facebook, Rama ka kërkuar që Murati të marrë përgjegjësinë dhe të sigurojë ekzekutimin e buxhetit, duke theksuar se situata aktuale është pasojë e vendimeve të tij politike.
“Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë!” – ka shkruar Rama, duke e akuzuar Muratin se po tenton të manipulojë narrativën publike dhe të zhvendosë fajin për bllokimin e fondeve në drejtim të të tjerëve.
Rama tha se buxheti i Prishtinës, i cili përfshin 33 milionë euro, vazhdon të mbetet i bllokuar, për shkak të vendimeve të papërgjegjshme politike.
Ai ka bërë të ditur se janë dërguar edhe shkresa zyrtare në Ministrinë e Financave, duke kërkuar që buxheti i kryeqytetit të zbatohet dhe të lirohen fondet që janë të bllokuara prej tij.
“Po flasim për 33 milionë euro të bllokuara, prej tyre 23 milionë euro të hyra vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar,” ka saktësuar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka deklaurar se, pavarësisht përpjekjeve për të justifikuar këtë situatë me deklarata në media dhe Facebook, kjo nuk do ta shpëtojë Muratin nga përgjegjësia për këtë bllokim.
Ai ka paralajmëruar se qytetarët e Prishtinës nuk do të mbesin peng i kalkulimeve politike të askujt, dhe as të Ministrit Murati.
“Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt e as tënde!” – tha Rama, duke kërkuar nga Murati të veprojë pa më vonesë.