Infektimi i skenës politike dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe i medieve, janë dy dëmet më të mëdha që Shqipëria i ka bërë Kosovës, konsideron kryeministri shqiptar Edi Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste shqiptare, përmes një opinioni të publikuar në Klankosova.tv, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është “infektuar” nga ai i Shqipërisë, në përmbajtjen e gjuhës së komunikimit politik, raporton Insajderi.
“Shqipëria i ka bere dy dëme të mëdha Kosoves. E ka infektuar politiken dhe Kuvendin e saj me virusin e gjuhës se akuzave ekstreme, ku fjala kriminel thuhet më shpesh se sa fjala zotëri apo zonjë, në komunikimin e ndërsjellë; e ka infektuar edhe skenën mediatike te studiove e të portaleve, me virusin e kulturës se linçimit me çdo kusht te përfaqësuesve politike, ku çdo mjet justifikon qëllimin”, ka thënë Rama.
Në shkrimin e tij dedikuar debatit të fundit me analistët nga Kosova, kryeministri shqiptar ka kritikuar mediet shqiptare për mënyrën e dhënies së informacionit.
“Te dyja bashkë, edhe shfrenimi gjuhësor ndaj kundërshtarit kriminel, hajdut e tradhtar, edhe linçimi non stop, pa dallim, i kujtdo që meqë merret me politike është për definicion kriminel apo i korruptuar dhe për çdo gjë qe ndodh, janë reflekse të kushtëzuara nga kultura e vjetër komuniste, për te cilën kundërshtari është medoemos armiku që duhet eliminuar dhe nuk ka pikë rëndësie ajo që bëhet apo thuhet, po e vetmja gjë që ka rendësi është se kush është ai qe e bën apo e thotë”, ka thënë fillimisht ai.
Rama thotë se opinioni publik shqiptar ka mbetur pa ndërmjetësues ndërmjet politikës dhe atyre. Rama për këtë i qorton mediet.
“Kështu populli, opinioni publik, ka mbetur pa ndërmjetësues në mjedisin e debatit politik apo shoqëror, sepse pjesa dërrmuese e medieve dhe analistëve e portalistëve, janë kthyer në një parti politike që as votohet, as i jep llogari ndonjë votuesi dhe as do t’ia dijë hiç se çfarë duan prej saj apo mendojnë për të, votuesit”, ka thënë Rama.
Shkrimin e plotë të Edi Ramës mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK. /Insajderi.com