Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare në vlerë prej 25 milionë eurosh nga Ministria e Financave për Kryeqytetin.
Rama tha se ky është një lajm i mirë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët, pasi mjetet e bartura nga viti 2024 po kalojnë drejt komunës pas pritjes disa mujore.
Sipas tij, Drejtoria e Financave në Komunën e Prishtinës do të punojë sot edhe jashtë orarit të rregullt për të përshpejtuar procesimin e pagesave.
“Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt”, shkroi Rama në Facebook, duke shtuar se pritet të përfundojë sa më shpejt alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh.
Ai falënderoi qytetarët dhe punëtorët për durimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.