Rama takon Ali Ahmetin, bisedojnë për qeverinë e re në Maqedoni - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rama takon Ali Ahmetin, bisedojnë për qeverinë e re në Maqedoni

    Insajderi
    15 December 2016 - 20:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më shumë se dy orë ka zgjatur takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, partia e të cilit arriti të fitonte 10 deputetë në zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

    Burime të Top Channel pranë Kryeministrisë thanë sot se, linja e Ramës është ajo që është bërë publike. Sipas shefit të qeverisë shqiptare, faktori shqiptar duhet të flasë me një zë të vetëm, në funksion të vendosjes së kushteve të Marrëveshjes së Ohrit në programin e cilësdo qeveri që do të krijohet.

    Liritë, të drejtat dhe detyrimet e shqiptarëve, si qytetarë të barabartë të shtetit të Maqedonisë, duhet të kthehen në përparësi themelore.

    Ali Ahmeti është takuar edhe me kryeparlamentarin Ilir Meta. I pyetur nga Top Channel, Ahmeti ka theksuar se është ende herët për të folur për koalicionet, por ka listuar kushtet e panegociueshme të BDI-së.

    “Marrëveshja e Ohrit, anëtarësimi i vendit në NATO dhe në Bashkimin Europian, zhvillimi ekonomik i barabartë midis komuniteteve, këto do të jenë parimet mbi të cilat ne do të zhvillojmë negociatat në të ardhmen”, tha Ali Ahmeti, i cili shtoi se është ende herët që të flitet për një koalicion të ri me Gruevskin. “Në këtë moment, me rëndësi është që vendi nuk duhet të rikthehet në krizë. Këto zgjedhje duhet të shërbejnë për t’i dhënë fund krizës dhe për të pasur një rifillim të mbarë në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë duhet të vëmë interesin e stabilitetit dhe të mos humbasim më kohë”.

    Kreu i BDI-së ka komentuar edhe rrjedhjen e votave të shqiptarëve drejt LSDM-së.

    “Unë e shoh si një çështje krejtësisht tjetër, këtë tendencë të një partie politike maqedonase, cilado qoftë ajo, dhe më frikëson, pavarësisht se nuk kam argumente, për të dëmtuar në mënyrë të sofistikuar thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e për t’u justifikuar nesër përpara shqiptarëve se edhe LSDM-ja e ka shqiptarin brenda partisë, që mbron legjitimitetin e komunitetit shqiptar. Gjithnjë nëse nuk është djallëzore nuk ka ndonjë shqetësim për BDI-në”, tha Ahmeti.

    Ndërkohë, po në një dalje për mediet, kryetari i Parlamentit Ilir Meta ka theksuar se stabiliteti i Maqedonisë është thelbesor për Shqipërinë.

    Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim është drejtuar për në Presidencë, për të përmbyllur turin e takimeve të tij në Tiranë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark