Çdo vit e njëjta pamje. Tryeza plot, harxhime pa hesap, iftare me emër. Në foto dalin gjithmonë të njëjtit njerëz. Me pozita, me kollare, me buzëqeshje për kamera. Shpesh e në shumicë të ngopur qysh para iftarit. E njeriut i vjen me pyt. Ku janë ata që s’kanë bukë? Ku janë ata që e presin iftarin duke shiku prej derës? Ku janë të varfrit që Kurani i përmend të parët?
Shkruan: Zyhdi Hajzeri, imam dhe jurist
S’po flasim për iftar familjar, as për mysafirë mes veti. Po flasim për organizime publike, që bëhen në emër të fesë e bamirësisë. Aty ku duhet me qenë ai që s’ka, jo ai që ka boll. Aty ku duhet me qenë i nevojshmi, jo ai me kartëvizitë e ftesë në xhep.
Kurani s’e njeh sadakanë me foto. S’e njeh iftarin si EVENT. S’e njeh bamirësinë si reklamë. Ushqimi i Ramazanit ka kuptim veç kur shkon te i urituri, jo kur rrotullohet mes njerëzve që hanë mirë tanë vitin. Kur tryeza mbushet me njerëz që as s’kanë nevojë e shpesh as nuk agjërojnë, e i varfri mbetet jashtë, kjo s’është as fe as njerëzi. Është shfaqje.

Agjërimi s’është veç ta mbash stomakun bosh. Është zemër që ndien. Mendje që e sheh padrejtësinë. Dorë që shkon te ai që s’ka zë. Nëse Ramazani përdoret për me FORCU POZITA, për me dalë në kamera, për me mbledh duartrokitje, atëherë e kemi humb krejt thelbin.
Ma e keqja është që kjo po na bëhet normale. Askush s’po pyet pse në iftare s’ka të varfër. Askush s’po pyet pse ftohen gjithmonë të njëjtit dhe ata me pozita e pasuri. Askush s’po pyet pse harxhohet për një natë sa ushqimi i disa familjeve për një muaj. Se foto del bukur. Se protokolli u kry.
Po Ramazani s’matet me dekor. As me menu. As me VIP-a në sofër. Ramazani matet me drejtësi, me sinqeritet, me atë se kush u ul me ty. Nëse aty s’është ai që ka nevojë, atëherë sado që e quan iftar, është veç DARKË. E sado që e quan bamirësi, është veç shpenzim.
Feja s’ka nevojë për luks. Ka nevojë për ndërgjegje. E njerëzia s’do fjalë të mëdha, do vepra të drejta. Kur këto mungojnë, ma mirë me i heq maskat. Se atëherë s’po e bëjmë Ramazanin për Zotin. Po e bëjmë për vete.