
Deklarimit kontrovers të deputetit të LDK-së, Nuredin Ibishi se nuk pajtohet me demarkacionin me Malin e Zi por se do të votojë pro në ratifikimin që do t’i bëhet me 1 shtator në Kuvendin e Kosovës, i është bashkangjitur edhe një tjetër deputet.
Ish-deputeti i PDK-së, tash deputet i pavarur, biznesmeni Ramiz Kelmendi, thotë se pajtohet me demarkacionin por do të votojë kundër.
Sipas tij, marrëveshja për vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar si një marrëveshje ndërkombëtare, “nën prezencën e miqve ndërkombëtar dhe nuk është mirë që të tërhiqemi”.
Ramiz Kelmendi ka theksuar se ai u beson SHBA-ve, kur thonë se Kosova nuk humb asnjë metër territor, megjithatë kur të vijë koha që ai të ratifikohet në Kuvend, e për këtë nevojitet vota e tij, do të veprojë ndryshe.
“Nuk do ta votoj demarkacionin”, ka thënë ai, pa sqaruar arsyen e votës kundër.
Kaq kontrovers ishte treguar edhe kolegu i tij Nuredin Ibishi.
“Unë personalisht fare nuk mendoj se është në rregull demarkacioni, por pasi është interesi i shtetit më i madh se ajo hise e jona aty, normal duhet të votohet. Unë veç kam deklaruar se janë bërë shumë gabime aty. Puna e Komisionit është e papërgjegjshme dhe fatkeqësisht marrëveshja nuk është rishikuar me kohë, por sido që të jetë tash po flasim për diçka që ka ndodhë, nëse është interesi i shtetit, demarkacioni po na pret në të ardhmen”, ka thënë ai. /Insajderi.com