×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Ramush Haradinaj ecën vetë në rrugën për Presidencë

Insajderi
01 January 2021 - 14:29
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ramush Haradinaj e ka ndarë mendjen të bëhet vetëm President i Republikës. Dëshirën e tij për vitin 2021, ai ka shprehur publikisht qysh në verën e 2020-ës.

Njomza Salihi

Në fillim të gushtit të nxehtë – Ramush Haradinaj e kishte marrë me automatizëm besimin e Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – për të qenë kandidat për President.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, kishte thënë Haradinaj më 12 gusht, shkruan Gazeta Insajderi.

Që nga shpallja e kandidaturës, e deri tash kur janë shpallur edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, kërkesa e AAK-së për postin e Presidentit ka qenë shume e qartë.

Se të parin e partisë e kanë ‘rezervuar’ për të parinë e shtetit, e kanë vërtetuar edhe deklaratat e zyrtarëve të Aleancës, kur emri i liderit të tyre u përmend si kandidat për Kryeministër.

“AAK demanton burimet e mediave që kinse Ramush Haradinaj ka heqë dorë nga kandidatura për President”, tha Meliza Haradinaj, anëtarja e AAK-së, në Twitter, më 22 dhjetor.

“AAK konfirmon qartë se synon udhëheqjen e Kosovës përmes Ramush Haradinajt si President i ardhshëm i Republikës”, vazhdon cicërima e saj.

Që nuk heq dorë nga Presidenti, përpos një rasti e ka thënë edhe vetë Haradinaj.

“Për çdo gjë familja Jashari e ka votën time dhe besimin tim. Jo vetëm për politikë. Nëse kandidon dikush nga familja Jashari unë ja qes votën menjëherë. Tërë jetën e kemi mbështetë familjen Jashari. Unë heqi dorë menjëherë nëse është fjala për dikë nga familja Jashari”, konfirmoi Haradinaj, një ditë pas Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë e Avdullah Hotit pjesë e së cilës ishte edhe AAK.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kur e kanë arritur marrëveshjen për koalicion, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Hashim Thaçi më 2021.

Lideri i partisë së katërtë më të votuar në vend, sipas të gjitha gjasave do të jetë prijës i listës së AAK-së për deputet, por jo edhe kandidati i partisë për Kryeministër.

Të gjithë partitë kundër kandidaturës së Haradinajt për President

Kandidatura e Ramush Haradinajt për President s’e ka marrë përkrahjen e partive tjera në vend.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pati thënë se partia e tij nuk e pranon gjithkë për të parin e shtetit.

“Në LDK nuk është biseduar për kandidatin për President të Kosovës. Nuk e kemi biseduar as me partitë e koalicionit qeverisës [v.j. AAK-në] e as me ato të opozitës”, pati thënë Mustafa.

I pari i LDK-së pati planifikuar edhe një tryezë me të gjithë liderët e partive për ta diskutuar emrin e Presidentit, por me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare ka ndryshuar edhe prioriteti i partive.

Pro bisedimeve, por kundër kandidaturës së Ramush Haradinajt për President ishte shprehur edhe u.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës”, kishte shkruar ai në Facebook, duke theksuar se PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, pati thënë Hoxhaj.

Sipas tij, barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës, por vetëm thellimin e saj.

Haradinaj nuk mund të bëhet President nëse nuk e ka përkrahjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, sepse të njëjtit sipas Kushtetues i duhen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Mbetet të shihet nëse partitë para ose pas mbajtjes së zgjedhjeve, kur të flasin për koalicionet e mundshme, a do ta fusin edhe emrin e ardhshëm të Presidentit në marrëveshjet e tyre finale.

Kosova brenda muajve të parë të vitit të ardhshëm duhet ta emërojë presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark