Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje publike për mbështetjen e profesorëve, duke vënë në pah rolin e tyre në proceset demokratike dhe shoqërore të vendit.
Në reagimin e tij, Haradinaj është ndalur te zhvillimet e fundit politike, ku ka theksuar nevojën për drejtësi funksionale dhe përkushtim serioz nga institucionet.
“Me nderimin më të lartë intelektual dhe qytetar, ju drejtohem për të kërkuar mbështetjen tuaj morale dhe profesionale në këtë proces elektoral, i cili përbën një moment strategjik për përcaktimin e orientimit të ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon të çojë përpara një program shtetformues, të mbështetur në konsolidimin e institucioneve, avancimin e sigurisë kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror e ekonomik. Politika e përgjegjshme duhet të orientohet nga dijet, profesionalizmi dhe bashkëpunimi i strukturuar me komunitetin akademik dhe intelektual”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka apeluar për bashkim të forcave dhe ushtrim të përgjegjësisë kolektive në trajtimin e çështjeve që prekin interesin kombëtar.
“Ashtu si arritëm të ndërtojmë kapacitete profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ne jemi të vendosur të avancojmë objektivin madhor të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si garanci e sigurisë së vendit dhe si afirmim i rolit të Kosovës në arkitekturën ndërkombëtare të mbrojtjes dhe paqes.Intelektualët, studiuesit dhe profesorët universitarë mbeten faktor kyç në strukturimin e vizioneve shtetërore, edukimin e gjeneratave dhe artikulimin e politikave publike. AAK e konsideron investimin në kapacitetin akademik dhe profesional të vendit si parakusht të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, modernizimin institucional dhe forcimin e kulturës qytetare dhe demokratike.“, shkruan ai mes tjerash.