Kapiteni i Barcelonës, Raphinha, ka zbuluar se tashmë kishte vendosur të largohej nga klubi përpara se Hansi Flick ta bindte të qëndronte, duke ia atribuar trajnerit gjerman meritat për rikthimin e vetëbesimit dhe ndryshimin e mentalitetit të tij.
E ardhmja e anësorit brazilian te Barcelona dukej e pasigurt para ardhjes së Flickut, por një bisedë me trajnerin e ri ia ndryshoi këndvështrimin.
Raphinha tani ka shpjeguar se si besimi i Flickut tek ai rezultoi vendimtar, ndërsa ka folur edhe për momentin kur bashkëlojtarët e zgjodhën si një nga kapitenët e klubit.
Raphinha pranoi se largimi nga Barcelona nuk ishte më thjesht një mundësi që po e shqyrtonte, pasi ai tashmë e kishte marrë vendimin përpara se të ndërhynte Flicku.
Megjithatë, garancitë e trajnerit i dhanë anësorit një arsye për ta rishqyrtuar vendimin.
“Në mendjen time, e dija se do të largohesha nga Barça. Tashmë e kisha marrë atë vendim në aspektin mendor. Pastaj Flicku më tha se kishte besim tek unë dhe se do të isha i rëndësishëm. Në një moment të tillë, vetëm disa fjalë mund të të ndryshojnë”, tha ai.
Kapiteni i Barcelonës shpjegoi më pas se biseda shkoi përtej së ardhmes së tij të menjëhershme, duke e ndihmuar ta rikthente vetëbesimin që kishte humbur.
“Gjithmonë kam thënë se Hansi Flick ma ndryshoi mentalitetin dhe më ndryshoi si person. Ajo bisedë ma riktheu besimin në vete që e kisha humbur”, shtoi ai.
Besimi i Flickut te Raphinha përfundimisht ndihmoi në ndryshimin e drejtimit të karrierës së brazilianit te Barcelona, ku ai tani është një figurë e rëndësishme e skuadrës.
Raphinha foli edhe për emërimin e tij si një nga kapitenët e Barcelonës, duke zbuluar se vendimi pati një ndikim të papritur në mënyrën se si e shihte veten.
“Kur bashkëlojtarët më zgjodhën kapiten, ishte sikur të ishte ndezur një çelës. Ata panë diçka tek unë që unë vetë nuk e kisha zbuluar. Kjo më ndryshoi”, u shpreh ai tutje.
Siç e shpjegoi vetë braziliani, përkrahja e Flickut e ndihmoi ta rikthente vetëbesimin, ndërsa shiriti i kapitenit i dha një këndvështrim tjetër për përgjegjësinë që mban brenda skuadrës.
Përtej reflektimeve të tij për Flickun, Raphinha ka bërë një hap drejt rikthimit në fushë pas lëndimit të pësuar gjatë angazhimeve me kombëtaren.
Braziliani pësoi edemë në pjesën e pasme të kofshës së djathtë më 29 shtator, teksa përfaqësonte vendin e tij në Australi.
Ky problem e la jashtë ndeshjeve të Barcelonës kundër Getafes dhe Galatasarayt.
Raphinha tani e ka përfunduar një pjesë të seancës stërvitore me bashkëlojtarët e tij për herë të parë që nga lëndimi.
Për këtë arsye, pritet të përfshihet në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë për ndeshjen e së shtunës në La Liga kundër Real Betisit.