Një organizatë ndërkombëtare e specializuar në industrinë e financave ka dy vite që bënë raporte edhe për Kosovën. Në raportet që i ka siguruar Gazeta Insajderi, kjo organizate ngre dyshime për mënyrën e funksionimit të Raiffeisen Bank dhe Raiffeisen Broker në Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës në anën tjetër ka vendosur që t`i injoroi ato, ani pse rregulloret e tyre ngrenë dyshime për veprime të paligjshme nga Raiffeiseni
Insajderi
E themeluar në vitin 1965, AXCON është lider botëror për informacionet e tregut global të sigurimeve. Në fokus të saj, në vitet e fundit organizata ka futur edhe Republikën e Kosovës.
Në vitin 2017, kjo organizatë bëri një raport vetëm për Kosovën. Në të janë përfshirë kompanitë që janë të licencuara dhe operojnë në fushën e sigurimeve.
Raporti thekson që në Kosovë, janë pesë agjentë sigurimesh për pakon jashtë asaj të sigurimeve jetësore, por shumica punojnë si agjentë sigurimesh.
“Raiffeisen është aktualisht një nga ndërmjetësit të licencuar, por operon si agjent”, thuhet në këtë raport.
Të pyetur nga Gazeta Insajderi, në Raiffeisen thonë se “Raiffeisen Insurance Broker” operon si ndërmjetësues për sigurime sipas Ligjit për Sigurime në Kosovë.
“Banka Raiffeisen në Kosovë dhe Raiffeisen Insurance Broker janë dy entitete të ndryshme juridike të pavarura të cilat janë të licensuara për aktivitete të ndryshme”, thuhet në përgjigjen që për çudi është kthyer nga Raiffeisen Bank dhe jo nga “Raiffeisen Insurance Broker”.
Pra derisa thonë që janë etnitetet të ndryshme, Banka përgjigjet edhe për kompaninë “Raiffeisen Insurance Broker”.
Kjo e fundit në Regjistrin e Bizneseve është e regjistruar si kompani në pronësi të “Raiffeisen leasing Kosovo”, me 30 % të aksioneve dhe 70 % të aksioneve aty i ka “Raiffeisen Bank Kosovo”.
Derisa në “Raiffeisen” nuk pranojnë të komentojnë gjetjet e AXCON, Rregullorja për Licencimin e Ndërmjetësuesve në Sigurime e Bankës Qendrore të Kosovës është e prerë tek natyra e aksioneve.
“Aksionarët e kompanisë së brokerëve nuk duhet të jenë njëkohësisht edhe aksionar të siguruesit, pavarësisht përqindjes që e kanë në kompaninë e brokerëve dhe /apo siguruesit”, thuhet në nenin 7 të kësaj rregullore.
AXCON edhe në raportin e fundit për Kosovën, që përfshin zhvillimet deri në vitin 2020 ka përsëritur të njëjtat gjetje dhe ngre të njëjtat dyshime.
“Sipas BQK-së, në fund të vitit 2019 kishte 23 agjentë të sigurimeve për shërbime jashtë sigurimit të jetës. Por disa punojnë si agjentë sigurimesh. Raiffeisen është aktualisht një nga ndërmjetësit e licencuar, por operon si agjent”, thuhet në këtë raport.
Gazeta Insajderi, lidhur me këtë çështje e ka pyetur edhe BQK-në. Ky insitucion në përgjigjen për Insajderin thote se Raiffeisen Broker është e licencuar si ndërmjetësuese.
“Ju njoftoj se Raiffeisen Insurance Broker Kosovo sh.p.k. është e licencuar nga BQK si ndërmjetësues – kompani brokerimi në fushën e sigurimeve Jetë dhe jo Jetë. RIBK ashtu si ndërmjetësuesit e tjerë, rregullohet dhe mbikëqyret nga BQK sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Insajderin.
BQK-ja thotë që sipas kërkesave ligjore, brokeri duhet të veprojë në llogari të të siguruarve dhe të jetë i pavarur nga siguruesit, produktet e të cilëve i shet.
“Është vendim i të siguruarit se cili produkt dhe nga cili sigurues i përmbush më së miri nevojat e tij”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për rastin e “Raiffeisen Insurance Broker”, kompani që për pronarë të madh e ka “Raiffeisen Bank”.
Në këtë institucion, sikurse edhe në vet “Raiffeisen”, nuk kanë pranuar të komentojnë gjetjet e kompanisë ndërkombëtare AXCON.
Për më shumë BQK-ja ka rrefuzuar që të japë përgjigje nëse është hetuar ndonjëherë raporti mes “Raiffeisen Bank” dhe “Raiffeisen Insurance Broker”, mbi konstatimet e AXCON se kjo e fundit operon si agjent për të parën.
Kjo as pasi që vet “Raiffeisen Insurance Broker” në faqen e tyre thotë që ata “misioni i vetëm i kompanisë së re nën brendin Raiffeisen ishte ndërmjetësimi i kontratave të sigurimit më të mira të mundshme për klientët e Raiffeisen Bank & Leasing”. /Gazeta Insajderi