14:49 - 08 Maj 2022

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës.

Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.

Dokumenti tepër sekret me relacionin e hartuara nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Metush Qamili dhe shefi i Seksionit, Kapiten i I-rë, Dedë Zefi, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit në Kampin e Semanit

                                                              R E L A C I O N

Mbi realizimin e planit të masave agjenturalo – operative për objektin në 2/A. Myrteza Fahri Bajraktari

Plani masave agjenturale – operative në drejtim të objektit Myrteza Bajraktarit, është realizuar si vijon:

  1. U bë kombinacioni në mes B.p. “Molla” dhe objektit me datën 26/8/1965, në Fier, duke e dëgjuar bisedimin e tyre me anë të T.O. Si nga e dhëna e B.p. “Molla” datë 27/8/1965 dhe incizimi i datës 26/8/1965, del se ka shumë kontradikta dhe B.p. nuk duhet të jetë në pozita të mira.
  2. Në lidhje me Menduh Nurçen që ndodhet në Lushnje, nga ana jonë me datën 21/8/1965, u bisedua me shokët e Degës së Brendshme Lushnje, Kapiten Hajri Dragotin, por me qenë se ata e kishin në përpunim aktiv dhe kishin një kombinacion për të bërë me Degën e Peshkopisë, u la që Menduhu të pyetet, mbasi të mbarojë kombinacioni me Degën e Peshkopisë, por se deri tani, Dega e Lushnjes nuk na ka kthyer përgjigje për ta marrë në pyetje, në lidhje me ato që ai ka deponuar për Myrteza Bajraktarin, kur ka ardhur nga Jugosllavia.
  3. Në lidhje me pikën e katërt të planit që flet për Myzafer Ademin, Ahmet Prenin, Shefqet Telhekun, Sami Lamçen, Mahmut Dumanin dhe Pjetër Kavajën, për të gjithë këta kemi korresponduar me Drejtorin e Tiranës, Degën e Durrësit dhe Ahmet Prenin, kanë dyshim e si agjent të U.D.B.-së, ndërsa Shefqet Telhaku, është kosovar i ardhur prej kohësh në Tiranë, para çlirimit dhe efektivisht ai nuk din gjë për objektin tone.Dega e Durrësit për Sami Lamçen, na thotë se është i dyshimtë si agjent i U.D.B.-së dhe nuk mundet të pyetet, kur se Dega Elbasanit, na përgjigjet se Mahmut Dumani, përpunohet si agjent i Zbulimit Jugosllav dhe është arrestuar qysh në vitin 1958 dhe sot nuk dihet se në çfarë burgu ndodhet.
  4. Muajin korrik 1965, rekrutuam një B.p. në drejtim të objektit nga radhët e emigracionit të Semanit. Nga të dhënat e këtij B.p. “Korabi”, del se objekti tregon aktivitet armiqësor, flet shumë kundra komunizmit dhe e quan atë banditizëm dhe luftë nxitës, është shprehur shumë keq për vendin tone, se këtu është gjendja e keqe ekonomike, populli po vuan për buk, ka tortura, qeveria shqiptare nuk e do Kosovën, prandaj dhe emigrantët kosovar i trajtojnë keq, në botën e jashtme është shumë e mirë jeta, ka liri e demokraci, bollëk e të tjera, po kështu dhe në Jugosllavi ka liri populli dhe nga gjendja ekonomike është shumë mirë.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet pritur vetëm nga ndihma që do të japë Gjermania, Kosovës, sepse, Kosova i ka qëndruar kurdoherë besnike Gjermanisë, në çdo kohë. Shqipëria ka qenë më mirë në kohën e parë të Zogut dhe nuk ka pasur nevojë Shqipëria të çlirohet, gjithashtu objekti është munduar që ta bindi B.p., për t’u kthyer në Jugosllavi dhe mbasi B.p. ka thënë se do të kthehem, objekti e ka porositur që të takohet me motrën e tija në Jugosllavi, duke i thënë se do të jap dhe parullën, për t’u lidhur me të (këto parulla Myrtezia i ka deponuar dhe në procesin e tij, kur ka ardhur në Shqipëri).

Myrtezai e heq veten para B.p. si patriot dhe që është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por jo me këtë sistem që është sot në Shqipëri. Kohët e fundit, i ka thënë B.p. se do të pres deri nga fundi i vitit dhe pastaj në rast se nuk do të më lirojnë nga Semani, do të kërkoj të riatdhesohem në Jugosllavi, atje do të manovroj për të shpëtuar që të mos më fusin në burg dhe pastaj do të kërkoj të shkoj në Gjermani ose Turqi, mbasi të shkoj në këto vende, do të shkruaj një libër kundër komunizmit, se çfarë tortura kanë përdorur dhe përdorin komunistët.

Objekti ka ofenduar në shumë raste Komunizmin dhe Shqipërinë, këto ja ka thënë vetëm B.p. “Korabit”, tek i cili ka besim, një pjesë e të dhënave të këtij B.p. vërtetohen dhe nga B.p. të tjerë, si nga “Paketa” dhe “Adriatiku”, me gjithë se këta dy B.p., nuk kanë dhënë gjë me shumë rëndësi, sepse nuk ka besim tek këta objekti, sa ka tek “Korabi”.

Nga të dhënat e B.p. “Omega” dhe “Korabi”, del se Myrtezai ka lidhje me objektin 2/A. Mark Markaj, që edhe ky përpunohet si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav. Myrtezai i ka thënë B.p. “Korabi”, se nga Marku unë mësoj situatën dhe se Marku ka lidhje me të gjithë ata persona që janë me idera nacionaliste në Shqipëri, ndërsa nga e dhëna e B.p. “Omega”, del se Marku lavdëron shumë Myrtezanë, si njeri i zoti dhe i zgjuar.

Myrtezai ka lidhje të ngushta me objektin Rexhep e Halit Llazanën, por se B.p. “Korabi”, i ka thënë se ata janë të porositur për të më kontrolluar mua, prandaj unë shok i kam, por nuk u besoj as atyre.

Gjithashtu kohët e fundit, objekti ka filluar të shoqërohet shumë me Muharrem Bërdynën dhe këtij me gjithë kushëririn e tij, Musa Bërdynën, u bën agjitacion që të kthehen në Jugosllavi dhe këta me insistim të madh, kanë kërkuar të shkojnë në Jugosllavi.

5. Nga kontrolli i korrespondencës, del se i dërgon një letër motra e tij që ka në Shkup, e quajtura Nusrete            Moxha, që kjo është e martuar me Mehmet Moxhën, nga studimi i letrës, del se kjo letër duhet të jetë                    përgatitur nga Zbulimi Jugosllav, dhe se gjoja Myrtezai mbahet kot në kampin e Semanit. Ndërsa objekti              vet, nuk ka shkruar letër si familjes dhe shokëve të tij.

Konkluzion: Nga studimi i të dhënave që kemi deri tani në dosjen e tijë, siç u pasqyruan një pjesë nga më kryesorët që ka në dosje, del se objekti në krahasim me të kaluarën, deri diku përpunohet mirë, plani i masave është realizuar, me gjithë se deri tani, akoma nuk kemi sqaruar plotësisht aktivitetin e tijë armiqësor, si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav, në se është në lidhje dhe mënyrën e lidhjes me këtë Zbulim, të dhënat që mund t’i ketë dhënë këtij Zbulimi etj.

Për të vazhduar me tej përpunimin e tij dhe për të sqaruar më mirë aktivitetin e tij armiqësor, do të bëjmë një plan të ri të masave agjenturiale operative.

Puntori Operativ                                                                    Shefi Seksionit I-rë

     Kapiteni i I-rë (Metush Qamili)                                          Kapiteni i I-rë (Ded Zefi)

                                         U pa

                        Zv. Kryetari Degës P. Brendshme

                                       Major

                                (Ramadan Cano)

 Fier me 23/XI/1965

Dokumenti me raportin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Metush Qamili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Paketa”, lidhur me bisedat e zhvilluara nga emigranti jugosllav, Myrteza Bajraktari, në kampin e Semanit

                                                                                                      Marrë: Kapiten Metush Qamili

                                                                                                  Dhënë: B.p. “Paketa”, me 24/1/1966

                                                        R a p o r t

Me datën 27/11/1965, para mensës të emigracionit Seman, ai takoi Myrteza Bajraktarin, në bisedim e sipër, Myrtezai tha se: jam mërzitur shumë, ta dija kështu nuk do të kisha ardhur, por këta (foli fjalë ofenduese), duke sharë shumë dhe tha se njerëzit e kësaj qeverie, janë për t’i çuar me lopë, se nuk kanë kulturë, shembull kemi oficerat e tjerë, ai i tha: mos u mërzit se tani kemi dhe festat dhe mund të ketë ndonjë falje.

Myrtezai ofendoi festat e 28-29 Nandorit, ai i tha: po pse nuk bën lutje të kthehesh si shokët në Jugosllavi, Myrtezai tha dhe ajo do të bëhet, këtu populli vuan shumë, ndërsa në Jugosllavi, populli rron shumë mire. N/Punësit janë të gjithë me kulturë dhe me shkolla të larta, atje dhe polici ka shkollë të lartë dhe nuk janë si këtu. Pastaj Myrtezai tha: nëse je takuar me Rexhep dhe Halit Llazanën, ai i tha se jo, me kaq u ndanë.

                                              “Paketa”

     Detyra:

  1. Gjatë bisedimit me Myrtezanë, i thoni se: për ty që je njeri me shkollë, nuk më vjen keq se duhet të kishe marr vesh më pare, se si trajtohen emigrantët në Shqipëri dhe pastaj të vijë. Ti thua se këta janë pa kulturë, por në realitet, këta janë të zot, dhe as kujt nuk ja ka mbajtur deri më sot që t’i prekin, se këta kush i ka cënuar, i kanë thyer kokën, si diversant dhe komplote, tjetër punë është si na dëshiron zemra neve.

                                       Punëtori Operativ

                                  Kapiten I-rë (Metush Qamili)

Dokumenti me raportin e survejimit ndaj objektit me pseudonimin “Rrapi”, i hartuar nga punonjësi i Sigurimit të Shtetit, Referenti i survejimit, Thimi Laçi

                                                              RAPORT – SURVEJIMI

Mbi survejimin e objektit individ, me pseudonim “Rrapi” datë 8/VII/1966

Në orën 9.15’ objekti u muar në survejim në Bar “Sahati”, duke ndenjur në një tavolinë së bashku me një person i ardhur nga Fieri, (që ka të fejuarën në Tiranë). Në orën 9.20’, erdhi dhe u takua me të Myzafer Abduraman Ademi, u ul dhe zhvilloi me të bisedë. Në orën 10.20’ objekti së bashku me Myzaferin, ngrihen nga tavolina dhe shkojnë në dhomën e pritjes të M.P. Brendshme.

Në orën 11.00, objekti me Myzaferin dalin nga Ministria P. Brendshme pasi u takuan në Bar “Sahati” me personin e ardhur nga Fieri, vazhdojnë rrugën në drejtim të pazarit, në orën 11.20’ Myzaferi ndahet me të tek dyqani i luleve në Bulevardi “Stalin”, ndërsa objekti me personin e ardhur nga Fieri, ecin rrugëve të ndryshme dhe në orën 11.30’ hynë në shkallën e 5 në Pallatet e Shallvares.

Në orën 13.00, objekti dolli nga shkalla Nr.5 e Pallatit të Shallvares, së bashku me personin e ardhur nga Fieri dhe kalojnë rrugëve të ndryshme dhe në orën 13.15’ qëndrojnë të dy në këmbë tek xhamia para Bar “Sahatit”, në orën 13.25’ objekti ndahet me personin e ardhur nga Fieri dhe në orën 13.30’ futet në Ministrinë e P. Mbrendshme. Në orën 13.40’ objekti doli nga Ministria e P. Mbrendshme dhe deri në orën 14.00 qëndroi para Hotel “Vollgës”.

Në orën 14.10’ u takua me personin e ardhur nga Fieri tek Bar “Sahat” dhe ulen të dy në një tavolinë në veçantë. Në orën 14.17’ ngrihen të dy dhe nisen në drejtim të Rrugës “Barrikadave”. Në orën 14.20’ ndahen, personi që ka ardhur nga Fieri, kaloi në drejtim të ndryshme, kurse objekti vazhdoi ecjen rrugës “Qemal Stafa” dhe në orën 14.25’ u fut në shtëpinë Nr.115.

Në orën 18.35’, objekti doli nga shtëpia Nr. 115, i shoqëruar me personin që ka ardhur nga Lushnja, e kalojnë rrugës “Qemal Stafa” dhe në orën 18.50’ takohen tek Sahati me një person që do të njihet me pseudonimin “Këmisha” dhe të tre së bashku, kalojnë “28 Nandorin” dhe në orën 17.50’ futen në Pastiçeri “Tirana”, personi që ka ardhur nga Lushnja me objektin, ulet vetëm në një tavolinë, kurse objekti me “Këmishën”, kalojnë Bulevardin “Stalin” dhe në orën 20.07’ para Kafe “Durrësi”, “Këmisha” ndahet dhe kaloi në drejtim të ndryshëm, kurse objekti në orën 20,12’, vete dhe ulet në tavolinën ku ishte personi i ardhur nga Lushnja, në Kafe “Tirana”, këtu hëngrën nga një akullore.

Në orën 20.30’, vete dhe ulet në tavolinën e tyre një person që do të njihet me pseudonimin “Tullaci”, si qëndrojnë deri në orën 20.50’, në këtë kohë, ngrihen të tre së bashku, kalojnë Bulevardin “Stalin” dhe në orën 21.00, para monumentit Stalinit, takohen duke i dhënë duart me Ismet Fejzullan, i cili banon në Lushnje, si bisedojnë për 0,1’ në këmbë, që të katërt vazhdojnë ecjen në drejtim pjacës dhe në orën 21.15’ futen në Drejtorinë e P. Mbrendshme Tiranë, si qëndrojnë për 0,5’, dalin dhe vazhdojnë ecjen në drejtim pjacës, në orën 21,30’, para Kafe Bar – “Sahatit”, “Tullaci” ndahet, kurse objekti me dy personat e naltpërmendur, ulen në një tavolinë në verandën e Bar – “Sahatit”.

Në orën 22,05’, ngrihen nga veranda dhe futen në lulishten e Bar-“Sahatit”, këtu qëndrojnë duke pirë. Në orën 24.00, dalin nga lulishtja dhe kalojnë pjacën në formë xhiro, shkojnë deri tek ura e Lanës, në rrugën “Labinoti”, kthehen prap dhe në orën 24.40’, para Hotel “Vjosës”, Ismeti ndahet dhe futet në Hotel “Vjosa”, ndërsa objekti me personin e ardhur nga Lushnja, kalojnë pjacën, në orën 24.50’ para shtëpisë Nr.115 në rrugën “Qemal Stafa”, personi i ardhur nga Lushnja, ndahet e kaloi në drejtime të ndryshme, kurse objekti futet në shtëpinë e sipërme.

REFERENTI I SURVEJIMIT

                                       (Thimi Laçi)

Shënim:

Në raportin e datës 8/VII/1966 të objektit “Rrapi”, ku është cilësuar vetëm si person i ardhur nga Fieri, pa emër, të shënohet emri i tij, Avdi Gashi.

Po në këtë raport, ku është vënë pseudonimi “Tullaci”, të shënohet emri i tij, Myzafer Ademi, që banon në_____________ ku objekti ka vajtur dhe ka fjetur në shtëpinë e Myzaferit, me datën 8/7/1966. Po në këtë datë, ku flitet për personin që ka ardhur nga Lushnja, të shënohet emri i tij Avdi Gashi, me banim në qytetin e Lushnjes. Memorie.al