×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Raporti i Kurtit me armët nuk është heroik, ai nuk i solli raketat Javelin

    Insajderi
    13 January 2024 - 13:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Parim Olluri

    Meritat për raketat “Javelin” i ka vetëm SHBA’ja. Por, propaganduesit e pushtetit ia kanë dhënë një detyrë të vështirë vetës. Ta bëjnë Kurtin të meritor për furnizim me raketa “Javelin”.  Por, raporti i Kurtit me armët nuk është heroik.

    Albin Kurti i kishte 23 vjet në vitin 1998. Vitin e luftës së UÇK’së. E kishte moshën për tu bërë ushtar i vendit të tij.

    Por, ai në mars të atij viti, në muajin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, kishte dhënë një deklaratë të bujshme. Ajo do të mbetej deklarata e tij më e famshme për luftën.

    “Unë nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë”, kishte pohuar Kurti.

    “Mendoj se zgjidhja më e mirë, e kam thënë edhe më parë, mes luftës dhe dorëzimit është një zgjidhje pa dhunë”, kishte deklaruar atëherë 23 vjeçari Kurti.

    Ndonëse rënia heroike e Adem Jasharit kishte mobilizuar popullin për rezistencë me armë, Kurti ishte prej të rrallëve shqiptarë që nuk e kishte këtë ndjesi. Edhe pse moshën e kishte të përshtatshme për betejë guerile e frontale me armikun.

    Janë bërë 26 vjet nga kjo deklaratë që Kurti do të dëshironte ta zhdukte. Ai sivjet rrumbullakëson moshën 50 vjeçare. Propaganda e partisë së tij shtynë përpara portretizimin e tij si njeri i gatshëm për luftë me armikun. Si njeri i pasionuar pas armëve dhe që e njeh rëndësinë e tyre.

    Rrjetet sociale janë mbushur këto ditë me postime militantësh që ia atribuojnë Kurtit meritat për pajisjen e Ushtrisë së Kosovës me raketat “Javelin”.

    Janë postuar me mijëra foto të edituara që shfaqin Kurtin në prani të raketave “Javelin”.

    Kurti në propagandën e VV’së tashmë duket si një ish-luftëtar që 30 vitet e fundit i ka kaluar më shumë në vija të frontit se sa në zyrën dhe shtëpinë e tij.

    Kjo propagandë ka për qëllim që qytetarët mos ta lexojnë të vërtetën. Meritat për raketat Javelin i ka vetëm SHBA’ja. Nuk i ka asnjë prej pushtetarëve.

    Këtë të vërtetë po e mbulon propaganda.

    Unë jam kurreshtar që t’i shohë më vonë rezultatet e këtij misioni të zorshëm propagandistik.

    Është jo e lehtë që të binden njerëzit se politikani që në moshën 23 vjeçare nuk kishte guxim për luftë, tash në moshën 50 vjeçare është i gatshëm që të bëhet “Hero i Luftës”.

    Mision i vështirë, pa dyshim. Është edhe një fakt tjetër që e pengon këtë mision të pushtetarëve. Kurti e ka edhe një histori jo të mirë me luftën e UÇK’së.

    Nga shumëkush llogaritet si veterani më i famshëm i rrejshëm në Kosovë.

    Ai nuk kishte qenë pjesë e UÇK’së, ndërsa zyrtarisht është regjistruar si i tillë. Si veteran i UÇK’së.

    Asnjë ushtarë e asnjë komandant nuk e kishte para duke luftuar. As në uniformë.

    Vetëm një prej tyre ishte përpjekur që ta uniformonte Kurtin. 22 vjet pas luftës synonte që ta fuste Kurtin në UÇK. Ishte komandant Remi. Ish-deputeti Rrustem Mustafa. Por, nuk kishte ofruar argumente të bollshme për publikun.

    Faktet në raport me armët janë negative për Kurtin. Propaganduesit e pushtetit e kanë një punë tejet të vështirë për ta bërë Kurtin “Hero  të furnizimit të ushtrisë me raketa Javelin”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark