Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) tha sot nëpërmjet një raporti se Rusia dhe Ukraina kanë torturuar të burgosurit e luftës gjatë konfliktit gati nëntë mujor me teknika çnjerëzore, duke përfshirë këtu torturën me korrent në organet gjenitale.
Sipas raportit, autoritetet në Kherson kanë zbuluar një ” dhomë torture ” , ku dhjetëra burra u çuan për t’u rrahur dhe madje iu nënshtruan goditjeve elektrike në organet gjenitale.
Disa prej tyre humbën jetën nga torturat, shkruan Reuters. Dhoma e tmerrit në Kherson funksiononte si një qendër paraburgimi për të rinjtë, por në mes të marsit rusët e kthyen vendin në një burg për burrat që refuzuan të bashkëpunonin me regjimin e Kremlinit.
“Përgjegjësit e qendrës nuk e zbuluan asnjëherë fytyrën, ata visheshin me të zeza”, kanë thënë dëshmitarët okulare.
Një dëshmitar tjetër thotë se një i moshuar u torturua brutalisht sepse djali i tij shërbente në ushtrinë ukrainase .
Ndërkohë detajet nga përshkrimi i Zhenya Dremo, një ekspert kompjuteri, janë gjithashtu rrëqethëse.
“ Ata vendosnin një shufër elektrike në testikuj dhe penisin e të burgosurve ”, tregon burri teksa flet për 23 qeli që sipas të cilit janë torturuar 180 të burgosur./abcnews.al/