Pas raportimeve të fundit në disa media online se Valtrim Kelmendi ishte arrestuar pasi kishte shtënë me armë në ajër dhe kishte tentuar t’i ikte policisë, mbrojtja e tij dhe dokumentet zyrtare të gjykatës paraqesin një tablo krejtësisht tjetër të zhvillimeve.
Përmes një kërkese zyrtare për demantim të dërguar redaksive, avokatja e tij, Aurora Mulhaxha, ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për përdorim të armës apo arratisje nga vendi i ngjarjes.
“Valtrim Kelmendi nuk është arrestuar për ndonjë rast të tillë të shtënies me armë dhe nuk ka ikur nga vendi i ngjarjes, siç është pretenduar. Përkundrazi, vetë klienti im, në cilësinë e palës së ftuar lidhur me një rast të dyshimit për kanosje, është paraqitur në seancë gjyqësore, ku unë kam qenë e pranishme në cilësinë e mbrojtëses së tij,” thuhet në reagimin e avokates Mulhaxha, e cila ka kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të lajmeve të pasakta për të mbrojtur reputacionin e klientit të saj.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë
Sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë (të datës 25 nëntor 2026), Prokuroria Themelore kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 21-vjeçarit Valtrim Kelmendi.
Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake, Alan Taraniš, pas mbajtjes së seancës dëgjimore më 24 nëntor, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim dhe ka vendosur t’i caktojë atij masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Sipas vendimit të gjykatës, kjo masë llogaritet nga dita e ndalimit më 23 nëntor 2026 dhe do të zgjasë deri më 23 dhjetor 2026.
Për çfarë po hetohet?
Ndryshe nga raportimet e fundit në media, aktvendimi i gjykatës sqaron se çështja penale ndaj Kelmendit zhvillohet nën dyshimin e bazuar për veprat penale “Kanosja” (neni 181) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës).
Emri i Valtrim Kelmendit ishte bërë publik nga Policia e Kosovës edhe në nëntor të vitit 2025, kur Drejtoria Rajonale në Pejë kishte lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për lokalizimin e tij dhe dy personave të tjerë, po ashtu të dyshuar në atë kohë për kanosje, armëmbajtje pa leje dhe lëndim të lehtë trupor.