Organizata “Democracy Plus” ka reaguar ndaj Komunës së Prishtinës duke thënë se shkeli ligjin në kontratën 12 milionëshe për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, duke caktuar në komision të vlerësimit të ofertave një person i cili nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës.
Sipas kësaj organizate, anëtari i komisionit për vlerësimin e tenderëve, Kreshnik Ferizi, nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës, duke qenë se kontrata e tij me Komunën e Prishtinës kishte përfunduar me datën 31.12.2022, konfirmuar nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prishtinës.
Komisioni i vlerësimit të tenderit për kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, përfundoi raportin dhe vlerësimin e ofertave me datën 29.05.2023, pesë muaj pas përfundimit të angazhimit të Ferizit me Komunën e Prishtinës.
Organizata ka deklaruar se përveç pjesëmarrjes së paligjshme në komision të vlerësimit të tenderit, ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit, duke qenë se grupi i operatorëve ekonomikë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit (Ardi CC L.L.C; Anarch Sh.P.K) të cilët u shpallën fitues nga komisioni vlerësues ku anëtar ishte z.Kreshnik Ferizi, ofertuan me dokumentacion, ku vetë Kreshnik Ferizi figuronte si bashkëpunëtor i kompanisë “Anarch Sh.P.K”.
Insajderi kishte raportuar në qershor të këtij viti për dyshime të forta për konflikt interesi. në kontratën 12 milionëshe e Komunës së Prishtinës për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”. Ky tender u përcoll me parregullsi dhe ankesa që nga shpallja e njoftimit për kontratën.
Pronari i kompanisë fituese Astrit Nixha, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën. Skandali është thelluar, edhe më shumë pasi anëtari i komisionit vlerësues, për këtë kontratë Kreshnik Ferizi, ka qenë i punësuar i Nixhës. Madje Nixha në referencë të punës kishte dorëzuar një projekt me bashkëpunëtorë anëtarin e komisionit.
Siç raportonte Insajderi, Kreshnik Ferizi, i përzgjedhur për anëtar në komision ka lidhje me kompaninë fituese të tenderit “ANARCH” SH.P.K.
Ferizi ka qenë punëtor i Astrit Nixhes ne Anarch dhe Nixha dhe Partners.
Madje, kompania “Anarch”, në këtë tender ka dorëzuar edhe referencat e punës që e lidhin me anëtarin e Komisionit vlerësues.
Kompania e Astrit Nixhës ka paraqitur Kreshnik Ferizin si bashkëpunëtorë në një projekt të tyre ““ZYRAT QENDRORE – ALBANIAN POST”.
Menaxherët e kontratës 12 milionëshe të Komunës së Prishtinës për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, kanë dhënë dorëheqje. Nga Komuna e Prishtinës janë arsyetuar se të njëjtit janë larguar për shkak të mbingarkesës në punë. Për këtë kontratë, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet. /Insajderi.org/