Insajderi
Hulumtime/Analiza

Raportimi i Insajderit | Ndalohet për 48 orë pejani që jetonte në Amerikë e dyshohet se shfrytëzoi seksualisht një 16-vjeçare

Insajderi
18 October 2026 - 14:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportimi i Insajderit | Ndalohet për 48 orë pejani që jetonte në Amerikë e dyshohet se shfrytëzoi seksualisht një 16-vjeçare
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gazeta Insajderi ka mësuar detaje të reja lidhur me arrestimin e zhvilluar të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u vu në pranga Sadik Idrizaj, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

​Burime të sigurta të Gazetës Insajderi bëjnë me dije se Idrizaj u ndalua nga Policia e Kosovës rreth orës 11:00 të mëngjesit, sapo kishte zbarkuar në aeroport, pas një urdhërarresti aktiv të lëshuar ndaj tij.

​Sipas burimeve të Insajderit, ai dyshohet për veprën penale të shfrytëzimit seksual të një të miture 16-vjeçare në rajonin e Pejës.

​Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

​Brenda këtij afati ligjor, prokurori i rastit pritet të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit.

Rasti kishte nisur pasi një e mitur nga rajoni i Pejës kishte denoncuar 56-vjeçarin se e kishte shfrytëzuar seksualisht kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Pas denoncimit, Prokuroria Themelore në Pejë e kishte vendosur Idrizajn në listën e personave të kërkuar (‘STOP Listë’).

Në korrik të vitit 2024, Prokuroria në Pejë mori vendim për fillimin e hetimeve. Mirëpo, pasi i dyshuari ndodhej në SHBA dhe nuk u është përgjigjur ftesave të njëpasnjëshme të organeve të drejtësisë për intervistim, prokurorja e rastit kishte kërkuar nga Gjykata lëshimin e urdhërarrestit.

Insajderi kishte publikuar gjithashtu dëshmitë e palëve të përfshira, përfshirë detajet nga pretendimet e viktimës si dhe pretendimet lidhur me joshjen materiale të bërë ndaj të miturës.

​Pas disa muajsh kërkimi dhe urdhërarrestit aktiv, i dyshuari është vënë në pranga gjatë hyrjes në Kosovë. Insajderi do t’ju mbajë të informuar për rrjedhën e mëtejshme gjyqësore.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark