Prokuroria Speciale ka intervistuar një dëshmitar në lidhje me rastin ku Kryetari i Gjykatës së Ferizajt, Mustaf Tahiri, ishte denoncuar javë më parë nën dyshimin se si e ka përfunduar fakultetin, sipas denoncuesit, derisa ishte me punë në Afganistan. Insajderi e ka pyetur edhe këtë institucion, por i njëjti nuk ka dhënë detaje. Insajderi ka kontaktuar edhe Këshillin Gjyqësor e Kryetarin e Supremes, dhe i fundit ka thënë se do të ndërmarr masa
Javë më parë Gazeta Insajderi raportoi se Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri ishte denoncuar në Prokurorinë Speciale. Denoncuesi ngre dyshime mbi mënyrën se si i njëjti e ka kryer fakultetin juridik, sipas tij, derisa ishte edhe me punë në Afganistan.
Gazeta Insajderi ka pyetur Prokurorinë Speciale për këtë rast, por të njëjtit nuk kanë pranuar që të japin detaje.
“Ju informojmë se Prokuroria Speciale, ka pranuar denoncimin kundër Kryetarit të Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe është duke e trajtuar në këtë prokurori. Andaj, kërkojmë mirëkuptim pasi që në këtë fazë të tanishme nuk mund të japim informata të më hollësishme”, i ka thënë Gazetës Insajderi Ekrem Lutfi, zëdhënës në Prokurori.
Edhe pse Prokuroria nuk ka pranuar që të ndajë detaje, Gazeta Insajderi merr vesh që në fund të javës së kaluar, po për këtë rast, në Policinë e Kosovës është intervistuar një person në cilësinë e dëshmitarit.
I njëjti ka treguar, dhe sipas informacioneve brenda këtij institucioni, edhe përmendur edhe së paku dy emra të zyrtarëve shtetëror që për një kohë janë në dijeni për dyshimin se si i përfundoi studimet bazike Mustaf Tahiri duke qenë me punë në Afganistan.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të cilët kanë konfirmuar se janë në dijeni për denoncimin e Kryegjykatësit në Feriaj, por kanë thënë që kjo i takon si përgjegjësi një institucioni tjetër.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Kryesuesi i KGJK-së, janë të njoftuar me rastin dhe për këtë çështje është njoftuar edhe Kryetari i Gjykatës Supreme si autoritet kompetent për kryetarët e gjykatave”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për Insajderin, duke shtuar se “për çfarëdo informacioni ju lutem drejtohuni te Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës”.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe Fejzulla Rexhepin, Kryetar në Gjykatën Supreme, por për dallim nga KGJK-ja, ata thonë që nuk kanë pranuar informacion zyrtar ende.
“Sipas kërkesës tuaj, ju informojmë se Kryetari i Gjykatës Supreme, si Autoritet Kompetent sipas Ligjit Nr. 06/L – 057, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo kërkesë zyrtare lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e Supremes dhënë Insajderit.
Por, ata megjithatë e kanë konfirmuar se janë në dijeni, pas raportimit të Insajderit.
“Kryetari me rastin është informuar nga mediat, tutje do të ndërmerren veprime konform dispozitave në fuqi”, thuhet tutje në përgjigje pa treguar se cilat janë masat që do të ndërmerren, ose që eventualisht edhe janë ndërmarrë.
Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, siç raportoi Insajderi javë më parë, kishe bërë një denoncim në Prokurorinë Speciale.
Penalisht e kishte kallëzuar Kryetarin e Gjykatës në Ferizaj, Mustaf Tahiri. Ngriti dyshime se si Tahiri e kreu, sipas Elezit, fakultetin derisa ishte edhe me punë në Afganistan.
“Kryetari TAHIRI, gjatë periudhës së së lartshënuar ka qenë duke punuar në Afganistan, por në periudhën sa ai ishte duke punuar në Afganistan në Kosovë në emër të tij dyshohet se janë kryer edhe provimet e fakultetit, edhe pse i njëjti në atë kohë punonte në Afganistan. Dyshohet se në emër të tij për kryerjen e provimeve janë angazhuar persona të tjerë, kundrejt një pagese nga ana e Mustaf Tahirit, për të përfunduar kështu edhe fakultetin juridik në Prishtinë”, kështu thuhet një dokument që është deponuar të enjten në Prokurorinë Speciale të Kosovës nga eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
Një kopje të këtij denoncimi e ka siguruar Gazeta Insajderi. Elezi, në këtë denoncim pretendon se mënyra se si e kreu fakultetin juridik Mustaf Tahiri, tash me pozitë Kryegjykatës në regjionin e Ferizajt, është e dyshimtë.
“MUSTAF TAHIRI i lindur në Shkup dhe aktualisht me vendbanim në Ferizaj i cili drejton gjykatën themelore në Ferizaj, dyshohet se gjatë periudhës 2003-2007 ka kryer vepra të sanksionuara me ligj sipas kodit penal të republikës së Kosovës”, thuhet në denoncim.
Sipas Elezit derisa Tahiri gjatë periudhës sa ishte edhe me punë në Afganistan, është e dyshimtë se si ka arritur që të hyjë në provime.
“Dyshohet se në emër të tij për kryerjen e provimeve janë angazhuar persona të tjerë, kundrejt një pagese nga ana e Mustaf Tahiri-it, për të përfunduar kështu edhe fakultetin juridik në Prishtinë”, ky është shpjegimi që Elezi i ka dhënë Prokurorisë Speciale.
Sipas tij, “Mustaf Tahiri dyshohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit dhe poashtu veprën penale të legalizim i përmbajtjes së rreme, dhe kështu ka vazhduar duke kryer punën si gjyqtar poashtu edhe si kryetarë i gjykatës në Ferizaj”.
Në dokumentin e denoncimit, një kopje që e ka siguruar Insajderi, Elezi thotë se Konfirmimi i informacioneve nga ana e prokurorisë mund të bëhet duke vërtetuar periudhën e kryerjes së provimeve nga Mustaf Tahiri si dhe pagesat e pagës së tij për periudhën sa ishte duke punuar në Afganistan.
“Pushime në Kosovë nga Afganistani punëtorët i kanë kryer dy herë në vit” thotë Elezi në denoncim dhe shton se këto informacione për të cilat flasin shumë qytetarë në Ferizaj, e të cilat së fundi i ka dëgjuar nga një zyrtar i AKI-së dhe një gjyqtare në Ferizaj, “por të cilët nuk kanë guximin e deponimit të një deklarate të tillë”
Gazeta Insajderi pati realizuar edhe një Intervistë me Elezin, i cili ka konfirmuar se ka deponuar një denoncim kundër një Kryetari të Gjykatës Regjionale, por në intervistë nuk e përmend emrin.
Gazeta Insajderi pati kontaktuar edhe Kryetarin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri.
Krejt pretendimet ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi ai i quante spekulime.
“Sa i përket denoncimit të këtij denoncuesi, dhe theksimet e tija aty janë veç spekulime dhe asgjë tjetër. Fakultetin juridik e kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës sipas procedurave të rregullta, andaj dhe çdo theksim në këtë denoncim është veç shpifje ndaj meje”, pati thënë Mustaf Tahiri për Insajderin.
Ai nuk ishte përgjigjur në pyetjen e Insajderit sa i përket periudhës së punës së tij në Afganistan dhe kryerjes së provimeve në Prishtinë.
Insajderi ka siguruar është certifikatën e notave të tij, e të cilën ia ka dërguar edhe vet Tahirit, por ai ka pasur një përgjigje të shkurtër pa u lëshuar në detaje./Gazeta Insajderi