Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur në dhjetor të vitit të kaluar aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronar të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se më 31 dhjetor 2025 është njoftuar përmes raportimeve mediatike lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 zyrtarëve të saj, por thekson se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente për këtë çështje.
Në reagimin e saj, MAShTI shpreh respekt për punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe thekson se do të jetë e hapur dhe transparente për çdo zhvillim zyrtar.
Njëkohësisht, ministria nënvizon rëndësinë e respektimit të parimit të pafajësisë, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu, MAShTI vlerëson rolin e mediave në informimin e publikut dhe inkurajon që raportimi të jetë i saktë, i bazuar në fakte dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, në mënyrë që të shmangen interpretimet e pasakta apo përgjithësuese, të cilat mund të çojnë në keqinformim të opinionit publik, të dëmtojnë procesin gjyqësor dhe të cenojnë integritetin institucional.
Po ashtu, MAShTI kërkon që gjatë raportimit të respektohet e drejta ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave të ndjeshme, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi.
Ministria mbetet e përkushtuar ndaj transparencës institucionale dhe llogaridhënies, në funksion të informimit të drejtë dhe korrekt të publikut”, thuhet në njoftim.