Raportohet se gjatë një operacioni policor të zhvilluar dje në Pejë, i cili kishte të bënte me krim të organizuar, rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar edhe Ymer Loci.
Megjithatë, këtë informacion e ka mohuar avokatja e tij, Aurora Mulhaxha.
Ajo ka deklaruar se klienti i saj nuk është arrestuar dhe se ndodhet në liri.
“Klienti im deri në këto momente nuk është arrestuar”, ka thënë për Insajderin avokatja Aurora Mulhaxha.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në Pejë, i cili ndërlidhet me një rast rrëmbimi të ndodhur në vitin 2021. Në kuadër të këtij aksioni, është arrestuar një person.
Gazeta Insajderi ka mësuar se i arrestuari është Rifat Halitaj.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, i dyshuari R.H. po hetohet për përfshirje në veprën penale “Krim i organizuar”, në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Aksioni është rezultat i një procesi hetimor që lidhet me rrëmbimin e një personi, rast i ndodhur në vitin 2021. Në lidhje me këtë çështje, një tjetër person i dyshuar tashmë ndodhet në paraburgim”, thuhet në njoftim.