Policia e Kosovës njoftoi sot për një rast të lajmërimit të rrejshëm të rastit të grabitjes së një shume të parave, që ka ndodhur në Shtime.
Në njoftimin e policisë thuhet se rreth orës 07:30 një 48-vjeçar me inicialet A.G, ka raportuar se në fshatin Gjyrkovc persona të panjohur e kishin sulmuar dhe me dhunë i kishin grabitur para në vlerë prej 3 mijë e 500 euro dhe kishin ikur me një automjet në drejtim të panjohur.
“Policët e rendit të stacionit në Shtime e më pas hetuesit rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe nën dyshimin se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm të rastit i kanë nisur hetimet”, thuhet në komunikatën për media.
Fillimisht ankuesi është testuar me alkool test, i cili ka rezultuar me 1.42 promila.
“Pas intervistimit nga hetuesit policor, në prani edhe të avokatit mbrojtës, rreth orës 15:00, ai në tërësi e ka pranuar veprën se ka deklaruar rrejshëm, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit i njëjti lirohet për procedurë të mëtejme hetimore dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘Lajmërimi, apo kallëzimi i rremë’”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.