
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, i cili gjithashtu mban postin e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re.
Rashiq tha se, nëse të gjitha opsionet për zgjedhjen e Kurtit si kryeministër janë shteruar, ai është i hapur për bashkëpunim edhe me partitë opozitare.
Ai u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje është partia më e madhe në Kosovë dhe se përvoja e tij politike e ka bindur se mund të krijohet një bashkëpunim i thellë dhe i frytshëm.
“VV-ja është partia më e madhe në Kosovë dhe pothuajse i kanë marrë gjysmën e numrit të deputetëve të cilët janë me numrin e shqiptarëve, kështu që ky është si parim se adresa e parë e imja të jetë partia më e madhe. Në bazë të eksperiencës sime politike unë e shoh se ka një potencial për bashkëpunim edhe më të thellë edhe më të frytshëm dhe bazuar në këtë adresa e parë do të jetë zoti Kurti”, tha ai në rtv 21 përcjell Insajderi.
“Por, është normale sikurse kam thënë edhe më herët pas 20 vjetëve eksperiencë që kam në politikë unë njihem personalisht me shumicën e kryetarëve të partive qoftë deputetë të partive, kështu që normale që kam komunikime me ta, jo në aspektin zyrtar por në aspektin privat dhe nëse në një moment ndodh që të bisedohet me partitë e tjera normale që jemi të hapur pasi që çdo takim nuk do të thotë konfirmim. Çdo takim është që të analizohet çka mund të jetë bashkëpunimi”, tha ai.