Më 22 shtator 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues përmes të cilit të akuzuarit Arjan Tahiraj, Besart Ramabaja, dhe Veton Alshiqi u shpallën fajtorë për rastin e njohur si “Albkings” dhe u dënuan me 7 mijë euro gjobë (së bashku). Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale të “Ngacmimit”, ku Tahiraj dhe Ramabaja paraprakisht kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërkaq Alshiqi e ka pranuar fajësisë në Gjykatë.
Ndaj këtij aktgjykimi, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit përfaqësuesi i palës së dëmtuar A.A., avokati Arbër Jashari për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vendimit mbi dënimin, duke propozuar një dënim më të lartë apo rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ankesë në Apel kishte paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Veton Alshiqi, avokati Asdren Bytyqi, për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar një dënim më të ulët me gjobë.
Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Tahiraj dhe Ramabaja, avokatët Esat Syla dhe Ilaz Rudaku, kishin paraqitur përgjigje në ankesën e palës së dëmtuar.
Prokuroria e Apelit përmes shkresave kishte mbështetur ankesën e palës së dëmtuar, kurse kishte propozuar të refuzohen si të pabazuara ankesa e mbrojtjes dhe përgjigjet në ankesë.
Sipas vendimit të Apelit të përpiluar më 16 qershor 2026, ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar sa i përket të pandehurve Tahiraj dhe Ramabaja të cilët kishin lidhur marrëveshje për pranim fajësie, si dhe përgjigjet në ankesë nga mbrojtësit e tyre, nuk janë të lejuara konform Kodit të Procedurës Penale.
Apeli theksoi se sipas KPP-së, përderisa aktgjykimi i Themelores është brenda marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, atëherë nuk është e lejuar ankesa nga të pandehurit ose nga pala e dëmtuar.
“Bazuar ne faktin që palët janë pajtuar për kufijtë e dënimi që ka propozuar prokurori dhe dënimet që janë shqiptuar janë brenda kufijve të marrëveshjeve, të pandehurit nuk kanë të drejtë ankese”, thuhet në vendim të Apelit.
Bazuar në këtë, Apeli theksoi se në rastin konkret as pala e dëmtuar nuk ka të drejtë ankese, dhe se edhe përgjigjet e mbrojtësve të të akuzuarve në ankesën e palës së dëmtuar janë të palejuara.
Ndërsa, sa i përket ankesës së përfaqësuesit të palës së dëmtuar lidhur me të akuzuarin Alshiqi i cili kishte pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit fillestar, Apeli tha se ankesa për sanksionin penal është e lejuar.
Por, në vendim thuhet se kjo ankesë është e pabazuar, duke konsideruar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se vendimi është i qartë, i kuptueshëm, konkret, dhe në përputhshmëri me arsyetimin e tij.
Sipas Apelit, pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit dhe pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar lidhur me lartësinë e dënimit nuk janë të bazuara.
“Kjo Gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve me aktgjykimin e ankimuar, është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit dhe se më të do të mund të arrihet qëllimi i dënimit…”, thuhet në vendim të Apelit.
Vendimi i Apelit është marrë nga kolegji i përbërë prej Abdullah Ahmetit- kryetar, si dhe anëtarëve Ali Kutllovci dhe Mehmet Ndrecaj.
Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.
Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, Nevzadi ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.