×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Rasti Brezovica – dha 100 mijë euro ryshfet, arrestohet biznesmeni që respektohej nga Osmani e Konjufca

    Insajderi
    04 March 2022 - 22:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Arian Idrizaj është arrestuar dje në aksionin “Brezovica 3”. Biznesmeni nga Prishtina dyshohet për dhënie ryshfeti. I njëjti ka edhe aktakuzë të hapur për “degradim të ambientit” në Sharr, dhe pavarësisht kësaj ai ishte pritur në takim nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryekuvendari Glauk Konjufca.

    Biznesmeni Arian Idrizaj është njëri nga tetë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3”, aksion ky që u zhvillua gjatë ditës së djeshëm në tri lokacione.

    Idrizaj dyshohet se ia ka dhënë 100 mijë euro, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

    “Për të pandehurin A.I., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq]  që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt, shkruan Gazeta Insajderi.

    Biznesmeni nga Prishtina dyshohet për veprën penale “dhënie ryshfeti” dhe “ushtrim të ndikimit”, pasi për këtë të fundit, gjithmonë sipas njoftimit të Prokurorisë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq], që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij.

    Për Idrizajn dhe shtatë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3” Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në njoftimin Prokurorisë ferizajase, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, biznesmeni Idrizaj, ka edhe një aktakuzë të hapur pikërisht për degradim të ambientit në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Gazeta Insajderi.  

    Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

    Mbi Idrizajn rëndojnë disa dyshime, sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi.

    “…në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe token, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit”, shkruhet në aktakuzën e vitit 2020, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gjykimi ndaj Idrizajt dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi të shtatë seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.

    Një seancë e fundit, ishte thirrur më 14 shkurt të këtij viti, por edhe ajo ka dështuar – në këto rrethana, seanca fillestare për këtë rast është caktua më 15 mars, të vitit 2022, shkruan Gazeta Insajderi.

    Presidentja dhe Kryekuvendari presin në takim njeriun me aktakuzë

    Megjithëse biznesmeni Idrizaj akuzohet për degradim të ambientit në Brezovicë, kjo s’e ka penguar që pritet në takime nga liderët shtetërorë.

    Në shtator të vitit 2021, rektori i kolegjit “Rezonancës”, ishte pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    “Një pritje madhështore nga Kryetari i Kuvendit Z. Glauk Konjufca si dhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani”, shkruan Idrizaj në profilin e tij në Facebook, kur ka shpërndarë edhe kolazhin e fotografive nga takimet, transmeton Gazeta Insajderi.

    Sipas njoftimit të Idrizajt, ai në këto takime ka qenë bashkë me Presidentin e Alma Mater Europaea njëkohësisht honorary President i Akademisë së Shkencave dhe Artve Europiane Akad. Prof. Dr. Felix Ünger si dhe Presidenti i AMEC Rezonanca Akad. Prof. Dr. Ramadan Idrizaj.

    Biznesmeni në shkrimin e tij ka falënderuar Osmanin e Konjufcën, siç ka thënë për “përkrahjen e pa kursyer shtetërore për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë”.

    Ndryshe, Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021, dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

    Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

    Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht, shkruan Gazeta Insajderi.

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark