Afërsia e personave të përfshirë në krim me figura politike, tashmë në Kosovë nuk është e pazakontë. Njëjtë ka ndodhur në rastin e fundit të njohur si “Brezovica” ku të akuzuarit për fajde shihen të shoqëruar me politikanë. Një ditë më parë, Gazeta Insajderi ka raportuar për afërsinë e të akuzuarëve për fajde Bashkim Osmani e Gëzim Sinani me deputetin LDK-së, Agim Veliu. Sot, Insajderi ka siguruar një fotografi ku shihet biznesmeni Ajvaz Muzaqi i akuzuar po ashtu për fajde, nën shoqërinë e deputetit të Vetëvendosjes, Besim Muzaqi.
Aksioni “Brezovica” i cili u zhvillua nga Policia e Kosovës javën që shkoi, rezultoi me 15 të arrestuar. Gjatë këtij aksioni u kontrolluan dhe u bastisën 21 autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në Prishtinë, Ferizaj dhe Vushtrri, nën dyshimet për shmangie tatimi dhe fajde.
Në mesin e të dyshuarve është edhe biznesmeni, Ajvaz Muzaqi, i cili në një fotografi të siguruar nga Gazeta Insajderi shihet nën shoqërinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi.
Në anën e majtë shihet deputeti, Besim Muzaqi, ndërsa përkrah tij është i arrestuari Ajvaz Muzaqi, nën dyshimet se ka kryer veprën penale fajde, kanosje e shmangie nga tatimi.
Për të mësuar se cila është afërsia e kësaj dyshe, Insajderi ka tentuar të kontaktojë deputetin Besim Muzaqi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Si u përfshi në fajde biznesmeni Ajvaz Muzaqi?
Sipas dosjes së prokurorisë, Ajvaz Muzaqi dhe Ardi Saraqi, pronar të autosallonit ‘Buna M’, me seli në Vushtrri dyshohet se janë të përfshirë në veprimtarinë e fajdeve.
Për Ajvaz Muzaqi dhe Ardi Saraqi ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020, e në vazhdim, si pronarë të auto sallonit “Buna M”, me seli në Vushtrri, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
Të njëjtit duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit, Samir Bajrami, si pronar i ndërmarrjes ndërtimore “Ornela”, për shkak të vështirësive financiare, si pasojë e pandemisë nga virus Covid-19, si dhe obligimeve nga pagesat e fajdeve për personat tjerë, në pamundësi që të paguaj këto obligime, është detyruar ta blej një veturë të markës ,,Mercedes S’, nga i pandehuri për çmimin prej 50 mijë euro, mirëpo për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për të paguar fajdet, është detyruar t’ia shes Lavdrimit për çmimin prej 28 mijë euro, duke pësuar dëm prej 22 mijë euro.
Me këtë Ajvaz Muzaqi dhe Ardi Saraqi sipas kërkesës se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ”Fajdeja” nga neni 307 par. 1 lidhur me par. 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Po ashtu thuhet për të njëjtit se ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2022, e në vazhdim, si pronarë të auto sallonit “Buna M”, me seli në Vushtrri, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
Ashtu që duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit Samir Bajrami, si pronar i ndërmarrjes “Ornela”, ku për shkak të vështirësive financiare, si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, si dhe obligimeve nga pagesat e fajdeve për personat tjerë, në pamundësi që të paguaj këto obligime, i njëjti është detyruar ta blej një veturë të markës “Audi”, nga i pandehuri për çmimin prej 60 mijë euro.
I dëmtuari për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për të paguar fajdet, është detyruar t’ia shes përsëri të pandehurit, për çmimin prej 42 mijë euro, duke pasuar dëm prej 18 mijë euro.
Me këtë të pandehurit Muzaqi dhe Saraqi po dyshohet se bashkëkryerje për kryerjen e veprës penale ” Fajdeja” nga neni 331 par. 1 lidhur me par. 3 te KPRK-së.
Kërcënim me vrasje dhe shamngie nga tatimi – akuzat e rënda të Prokurorisë ndaj Ajvaz Muzaqit
Në dispozitivin e nëntë të dosjes së Prokurorisë, thuhet se për Ajvaz Muzaqi dhe Mujë Ademi ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 në Vushtrri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me kanosje serioze kanë detyruar të dëmtuarit Besim Gashi dhe Samir Bajrami që të paguajnë shuma të parave në dëm të pasurisë së tyre.
Në atë mënyrë që paratë që i kanë dhënë me fajde i kanë kanosur seriozisht se do tu shkaktojnë ndonjë të keqe ose do t’i vrasin.
Kjo pasi që të dëmtuarit për shkak të vështirësive ekonomike nuk arrinin që ti kthenin me kohë shumën e parave në emër të fajdes dhe shumën që e kishin marrë në shërbim, kështu që ishin detyruar të marrin para me fajde tek personat e tjerë me qëllim që ti kryejnë pagesat ndaj të pandehurve, të cilit kanë pësuar dëm pasuror në shuma nga 20 mijë deri në 100 mijë euro.
Me këtë të njëjtit po ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Detyrimi “nga neni 328 par. 2 te KPRK-së.
Po ashtu thuhet se për Ajvaz Muzaqi dhe Ardi Saraqin ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 në Vushtrri, në bashkëkryerje kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona të tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të shkaktuar nga pandemia si pasojë e virusit “Covid – 19”.
Në atë mënyrë që i dëmtuari Samir Bajrami si pronar i ndërmarrjes tregtare “Ornela” në Fushë Kosovë, për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga auto-salloni ” Buna M’ në Vushtrri, disa vetura në vlerë prej 400 e 61 mijë euro në afat pagese prej tre – katër muaj, të cilat vetura kanë pasur vlerën shumë më të ulët të tregut dhe është detyruar qe ti shesë për çmimin prej 300 e 50 mijë euro, duke pësuar dëm pasuror në çmim prej 100 e 11 mijë euro.
Me këtë të njëjtit në bashkëkryerje po dyshohen për kryerjen e veprës penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Tutje, në dizpozitivin e dhjetë thuhet se për Ajvaz Muzaqi dhe Ardi Saraqin ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 në Vushtrri, me qëllim që ti shmangen pjesërisht pagesës së tatimit për të përfituar rimbursimet tatimore, si bashkëpronarë të auto-sallonit “Buna-M”, në atë mënyrë që me rastin e shit -blerjes së veturave, pagesën e kanë bërë me para kesh, duke shënuar vlera jo të sakta të mallrave të shitura, të cilat para pastaj i kanë përdorur për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”, me çka kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shuma disa mijëra euro.
Me këtë të njëjtit po ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi “ nga neni 307 par. 1 lidhur dhe nenin 31 te KPRK-së. /Gazeta Insajderi