Tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja Emilija Rexhepi në komisionin hetimor parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt janë siguruar që ta votojnë për ekspert ish-këshilltarin e ministres, Skender Kandiq.
Rexhepi bashkë me deputetët e partisë me të cilën udhëheq në ekzekutiv votuan pro që Kandiq të jetë në mesin e ekspertëve që do ta shqyrtojë rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Fjalë të mira për Kandiq pati deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Osman Musliu.
“Mendoj që është ekspert i mirë por edhe si njeri është shumë i kompletum. Mendoj qe na duhet, se është i paanshëm goxha fort por edhe më duket, nuk e di qysh deklarohet në aspektin nacional, por Skendën e njoh si njeri shumë i kompletum”, deklaroi Musliu.
Krahas Musliut, Skender Kandiqin e votuan edhe deputetja Adelina Tërshani, Adnan Rrustemi, si dhe dikur shefja e tij, Emilija Rexhepi.
Skender Kandiq ishte emëruar si këshilltar politik i ministres Emilija Rexhepi gjatë kohës sa kjo e fundit shërbente si zëvendëskryeministre në Qeverinë Kurti 2.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Kandiqi ishte kandidat i NDS-së, partisë së Emilija Rexhepit, por që nuk arriti të zgjedhej deputet.
Krahas tij, ekspertë të tjerë janë përzgjedhur: Emine Avdyli Pozhari dhe Besarta Breznica. /Insajderi.org/