Policia e Kosovës ka arrestuar dje dhjetë persona për shkak të dyshimit se personat e dyshuar kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë emrat e të arrestuarve të dyshuar për bixhoz të jashtëligjshëm.
Ata janë: Benjamin Gorani, Riad Haziri, Mirzantim Berani, Altin Krasniqi, Çlirim Nimonaj, Liridon Beqiri, Ronald Dedinca, Artan Masrekaj, Erion Alimetaj dhe Faton Nura.
Të gjithë këtyre iu është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas vendimit ata do të qëndrojnë në paraburgim për 1 muaj.
Avokatja e të pandehurit Benjamin Gorani, Majlinda Sadikaj ka thënë në Gjykatë se ajo nuk ka pranuar aktvendimin për fillimin e hetimit.
Ajo e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Speciale pasi sipas saj nuk janë përmbushur kriteret ligjore mbi bazën për caktimin e masës së paraburgimit.
Sa i përket kushtit pra dyshimit të bazuar në dispozitat e nenit 19 pika 1.9 të KPP shprehimisht thuhet se dyshimi i bazuar duhet të mbështetet në prova të artikulueshme dhe artikulimin e tyre e kanë për obligim që ta bëjë PS e që në këtë rast nuk ka ndodhur, pasi që provat që supozohet që ekzistojnë vetëm janë listuar nuk ju dihet përmbajtja dhe rrjedhimisht ne si mbrojtës nuk po arrijmë ti kontestojmë”, ka thënë ajo në Gjykatë.