Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka kërkuar falje pasi ditë më parë në një intervistë televizive ka ngatërruar shifrën me të cilën shteti ka paguar një veturë për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ai duke folur për kontratat për mirëmbajtje të rrugëve regjionale e nacionale, të cilat ishin bërë para ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet, ka treguar një rast se si një automjet “Pick-up” ishte paguar 850 mijë euro, e që siç sipas tij është shifër “marramendëse”.
E të enjten në një postim në Facebook, Durmishi ka thënë se ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro, por 900 mijë euro.
“Kërkim falje. Para disa ditëve kam deklaruar se një ‘Pick-up’ (automjet) i cili lëvizte në rrugë për të bërë inspektime se ku ka nevojë të intervenohet me kontratën e mirëmbajtjes është paguar në vlerë 850 mijë euro. Në fakt ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro por 900 mijë euro”, ka shkruar ai.