Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës “ka të bëjë me kriminalizim të veriut”.
Sipas tij, derisa Beogradi po shikon të zgjidhë problemet përmes dialogut, kryeministri i Kosovës këtë po mundohet ta bëjë përmes shkaktimit të krizave.
Madje, ai ka thënë se ky aksion është “hakmarrje” për siç ka thënë ai “humbjen që Serbia ia shkaktoi Kosovës në Bruksel në lidhje me marrëveshjen për targat”.
“Prishtina po shkakton kriza të reja, po nxjerr në sipërfaqe probleme të paqena për të sulmuar veriun. Këtë po e bën në javën e fundit para zgjedhjeve. Ai po ndërmerr aksione të njëanshme dhe pasi ato i kanë dështuar, tash po shkon me skenarët B dhe C”, ka thënë Petkoviq, përcjell “b92.net”.
Ai u ka dhënë edhe një mesazh trimërues serbëve në veri, se e “kanë Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq pas vetes”.
Policia e Kosovës sot ka nisur aksion të gjerë për konfiskim të mallrave të kontrabanduara. Në veri të Mitrovicës është sulmuar nga serbët lokalë me gurë.
Veriu vlerësohet si një prej pjesëve ku kontrabanda është në nivelin më të lartë, për shkak të mosshtrirjes së mjaftueshme të institucioneve të Kosovës dhe për shkak të afërsisë së kufirit me Serbinë.