Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Faton Klinakut, deklaratën që bëri dje ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Haxhiu ka thënë, se Klinaku është treguar i pamatur pasi që i ka shkuar për shtati VV-së, duke shtuar se ai i ka zgjuar nga gjumi LVV pasi nuk kishin ftyrë me postu nga skandalet e Qeverisë.
“Faton Klinaku me deklaratën e tij është treguar i pamatur pikërisht duke i shkuar për shtati VV-së e cila që nga themelimi nxitë vazhdimisht vlla-vrasje, përçarje e shkatërrimin e shtetit. Klinaku i paska zgju nga gjumi LVV- në se ka disa muaj janë heshtur e sa as statusa nuk kishin ftyrë me postu në rrjete sociale, nga skandalet e çdoditëshme të Qeverisë”, ka shkruar Haxhiu.
Deputeti i PDK-së ka theksuar se VV-së nuk i kanë penguar skandalet e një pasnjëshme, por po u pengon deklarata e Faton Klinakut.
“VV-së nuk i ka penguar as vjedhja e rrymës, as vjedhja e grurit, vajit, sheqerit, as arrestimi i sekserit Ridit e dilerit të drogës asambleistit të LVV-së Mujecit. E tash po u pengojka deklarata e Faton Klinakut, po kanë harru që pikërisht VV-ja me eksponentët e saj bënin thirrje çdo ditë për vrasjen e Hashim Thaçit e Kadri Veselit”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka ngritur një pyetje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pse LVV-ja nuk përgjigjet cilin politikan te PDK-se ka pasë dëshirë Albin Kurti ta vriste përmes sekserit të tij Ridit? Shumë bre hipokrita!!!”.