Insajderi
Insporti

Real Madridi futet fuqishëm në garë për Diomandén, dërgon ofertën e parë te Leipzigu

Insajderi
24 July 2026 - 23:41
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Real Madridi futet fuqishëm në garë për Diomandén, dërgon ofertën e parë te Leipzigu
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Real Madridi ka dorëzuar ofertën e parë zyrtare për Yan Diomandé, ndërsa tashmë kanë nisur negociatat me RB Leipzigun dhe përfaqësuesit e futbollistit 19-vjeçar.

Kontaktet mes klubit madrilen dhe Leipzigut kanë filluar këtë javë, pas raportimeve të para të “BILD”. Më pas, “The Athletic” ka konfirmuar se Real Madridi ka hyrë zyrtarisht në garë për talentin e ri dhe po punon aktivisht për ta realizuar transferimin.

Hyrja e Real Madridit në garë ka ndryshuar situatën rreth njërit prej sulmuesve të rinj më të kërkuar në Evropë.

Paris Saint-Germain deri më tani ishte konsideruar si destinacioni i preferuar i Diomandés, por klubi francez ende nuk ka treguar gatishmëri për të paguar shumën e kërkuar nga Leipzigu.

Real Madridi prej kohësh po monitoron tregun për një sulmues krahu, veçanërisht në rast se Brahim Díaz largohet gjatë kësaj vere.

Brahim dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe vazhdon të vlerësohet si një lojtar i rëndësishëm nga José Mourinho dhe drejtuesit e klubit. Megjithatë, vendimi i Real Madridit për të nisur negociatat për Diomandén tregon se klubi dëshiron ta përforcojë këtë repart, pavarësisht planeve aktuale për Brahimin.

Vlera e ofertës së parë të Real Madridit nuk është bërë publike, por Leipzigu raportohet se kërkon rreth 130 milionë euro për kartonin e futbollistit.

Edhe Liverpooli kishte kontaktuar më herët gjatë verës me klubin gjerman, duke paraqitur një ofertë që i afrohej 100 milionë eurove, por pa arritur marrëveshje.

Diomandé më herët kishte preferuar një transferim te Paris Saint-Germain, por interesimi konkret i Real Madridit ka krijuar një garë të fortë për nënshkrimin e reprezentuesit të Bregut të Fildishtë.

Në anën tjetër, Leipzigu mbetet i vendosur për ta mbajtur lojtarin dhe po punon gjithashtu për rinovimin e kontratës së tij, e cila aktualisht është e vlefshme deri në qershor të vitit 2030.

“Synimi ynë i qartë është që Yan Diomandé të luajë për RB Leipzig edhe sezonin e ardhshëm”, deklaroi drejtori sportiv i klubit gjerman, Marcel Schäfer.

Qëndrimi i Leipzigut nënkupton se Real Madridi duhet të paraqesë një ofertë shumë të lartë nëse dëshiron ta mbyllë transferimin gjatë kësaj vere.

Diomandé iu bashkua Leipzigut nga Leganesi verën e kaluar dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më të rrezikshëm të krahut në Bundesligë.

Ai e mbylli sezonin me 12 gola dhe nëntë asistime në 33 ndeshje, duke ndihmuar Leipzigun të përfundonte në vendin e tretë dhe të siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

19-vjeçari përfaqësoi gjithashtu Bregun e Fildishtë në Kupën e Botës, ku luajti në të katër ndeshjet e kombëtares së tij, para eliminimit nga Norvegjia në fazën e 1/16 së finales.

Shpejtësia, aftësia në driblim dhe mundësia për të luajtur në të dy krahët e sulmit e kanë bërë Diomandén një nga talentet më të vlerësuara të futbollit evropian.

Real Madridi ka përfunduar tashmë transferimet e Bernardo Silvës, Ibrahima Konatés, Denzel Dumfries dhe Marc Cucurellas gjatë verës së parë të rikthimit të José Mourinhos në klub.

Ndjekja e Diomandés përbën një tjetër operacion të madh, i cili ka marrë zhvillim të shpejtë.

Bisedimet me Leipzigun dhe përfaqësuesit e lojtarit po vazhdojnë, megjithëse palët ende mbeten larg një marrëveshjeje për shumën e transferimit.

Interesimi i Real Madridit tashmë është konkret, ndërsa hapi i radhës do të varet nga gatishmëria e klubit spanjoll për t’iu afruar kërkesave financiare të Leipzigut dhe nga vendimi përfundimtar i Diomandés për të ardhmen e tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark