Recension i “Yours Truly”, album nga Rinesa Qeriqi - Rinesancë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Recension i “Yours Truly”, album nga Rinesa Qeriqi – Rinesancë

    Insajderi
    06 April 2021 - 22:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Krenar Gashi

    Atë ditë isha duke humbur kohë në Instagram, rrjetin social të cilin e pëlqej më së paku, e të cilin ende e përdori shumë pak. Por një video e shkurtë, pak mbi 60 sekonda, më katapultoi në një kanal në YouTube, ku u mahnita me krijimtarinë e një artisteje të re, që dukej se ishte ende e mitur. Dy vjet më vonë, kjo artiste që quhet Rinesa Qeriqi e njihet me emrin artistik Rinesancë, e nxorri albumin e saj të parë të vetëpublikuar (mixtape). Me gjithsej 6 këngë, albumi “Yours Truly” tanimë mund të dëgjohet në YouTube e Spotify, platforma ku Rinesa po e krijon një konstituencë të fuqishme dhe të sigurt.

    Kur t’i dëgjoni, me rend, të gjitha këngët e Rinesës, përfshirë këtu edhe këngën e re që u lansua pas albumit si dhe klipet e saj freestyle në YouTube, gjëja e parë që do të ndjeni është një mangësi, një asi ankthi që e përjetoni kur përfundon episodi i serialit të preferuar dhe duhet të pritni për të parë vazhdimin. Po të isha në koncert të saj, në fund do të çirresha, patetikisht, me gjithë qenien: edhe një, edhe një, këtë frazë klishe që këto ditë karantine po na mungon pa masë.  Me fjalë tjera, këngët e saj janë aq të ndjeshme, aq të këndshme, aq të lehta por në të njëjtën kohë aq të plota, sa që e gjithë krijimtaria e saj e deritanishme thjesht nuk do t’ju mjaftoj.

    Mendimi i parë për Rinesën, megjithatë, do të mbetet i njëjti, deri në fund. Një mendim që nuk është më çirrje, por në fakt një fjali që mund të thuhet vetëm me një ton të sinqertë e serioz:

    Veç pak djem! Ka edhe çika këtu!

    Andaj edhe me kënaqësi të jashtëzakonshme po e shkruaj këtë recension, për të cilin e pata shumë të vështirë ta zgjedh titullin. Kjo për shkak se Rinesa është në fillet e saj krijuese dhe se është tejet e rëndësishme që talentet si ajo, që në përpjekje vetanake po e ndryshon kulturën. Këtë po e bëjnë duke na i hapur sytë drejt mangësive sistemike dhe padrejtësive e shtypjes strukturore, t’i trajtojmë si duhet. Vetë rasti i Rinesës, e cila shpërtheu në kreativitet tek pasi që emigroi për në Kanada, është arsye që shoqëria të reflektojë nëse është duke e ngulfatur gjeneratën e re të krijuesve përmes çoroditjes kolektive. Në fakt, kjo edhe më bën që të vazhdoj të shkruaj recensione për muzikë, bashkë me nxitjet e lexuesve.

    Krijimet e Rinesës nuk janë veç përpëlitje e zakonshme që çikat bëjnë në hip-hop, univers që konsiderohet tërësisht mashkullor, seksist madje. Por për dallim prej shumë artisteve që përpjekjen e tyre e kanalizojnë duke u përfshirë në një konkurrencë me djemtë e burrat, siç mund të jetë p.sh. Cardi B, apo në një formë tjetër, tek ne, Tayna, përpjekja e Rinesës është një qasje krejt tjetër, qasje të cilën Ibrahim Rugova do ta quante ‘refuzim estetik’. Kjo për shkak se ajo nuk merret me skenën muzikore shqipe, nuk vjen si reagim ndaj skenës, por mëton që e pavarur ta zgjerojë duke e pasuruar atë me origjinalitetin e krijimeve dhe identitetit të saj. Kësisoj, gjithnjë në sy Rugovian, Rinesa bën një refuzim estetik ndaj gjithë realitetit shoqëror të pasqyruar në diskurs, media, art e vlera, ‘pa deklamim të theksuar dhe pa mjete të shoqërisë, politikës’ duke e forcuar dinjitetin dhe identitetin e saj si kategori të përgjithshme, dhe duke e komunikuar atë.  

    Gjithçka rreth Rinesës është refuzuese. Në shikim të parë, ajo ta kujton profilin e një çike që e hasim në secilën ndërlidhje shoqërore në Kosovë – familje të gjere, shoqëri, klasë shkolle apo grup studimi – që ashiqare shihet se nuk përket. Një dele të zezë. Mua ma kujton shumë motrën time të vogël, e cila përgjatë gjithë fëmijërisë kishte mbajtur flokë të shkurta dhe ishte shoqëruar thuajse ekskluzivisht me djem, gjë që e bënte gjithnjë të ketë vëmendje të veçantë, por jo domosodshmërisht të pranueshme në shoqëri. Por refuzimi i Rinesës shkon përtej dukjes dhe shoqërimit. Ajo refuzon me gjithë qenien e saj. Sa që, kur të dëgjoni repturat e saj freestyle, do të cuditeni se kah po del gjithë ky pezëm, gjithë kjo maturi, gjithë kjo katrahurë ndjenjash që ajo me gjithë shpirtin i pështynë nëpër rrahje tingujsh. Por, si thotë edhe vetë në tekstin e këngës

    “160 50 kg po boll ron po çoj”

    Poezia e Rinesës, megjithatë, është tejet përbashkësuese. Vargjet e saj bashkojnë ndjenjën e izolimit të të rinjëve në Kosovë me ndjenjën e nostalgjisë së kurbetit, duke ngërthyer në vete jo vec pështyerje aktualitetesh, por pikë së pari një gjurullti ndjenjash që e krijojnë një ankth kolektiv. Leksiku i saj përmban, mes tjerash, prej shprehjeve urbane të vetëkrijuara si Brr-Brrski, apo shprehjeve të shqipëruara nga serbishtja e turqishtja, deri tek fjalët më konceptuale të cilat nuk i dëgjojmë shpesh në shqip, si p.sh. ‘lëngimi’ apo ‘kandra’ të cilat i përdorë pa prepotencë, me plotvendshmëri.

    Prandaj, përkundër faktit që Rinesa është refuzuese në qenësinë e saj, është njëherit totalisht e pranueshme nga të gjithë. Me poezinë e saj, Rinesa po e vendos themelin e diskursit të dashurisë së gruas për gruan, diskursin e epshit mes vajzave, duke i dhënë ngjyra të jashtëzakonshme trajtimit të temës së dashurisë, e cila në poezinë shqip kryesisht trajtohet si veç bardh ose veç zi. Kësisoj, vargjet që Rinesa ia kushton të dashurës së saj, depërtojnë edhe tek rrethet e qarqet që apriori janë të prirur të refuzojnë një koncept të tillë, qoftë nga shpirtngushtësia, qoftë nga mungesa i fiqirit.

    Duke e vendosur veten dhe jetën e saj në storjet që ajo trajton, Rinesa bën atë që bën Eminem gjatë gjithë karrierës së tij (por edhe në filmin 8 Mile) – e merr përgjegjësinë për vetën e saj dhe krenohet me të. Kësisoj, ajo nuk ka nevojë që të krijoj një personazh skene sic bënë shumë reperë, pavarësisht se e gjtihë kjo është natyrisht performancë artistike. Ajo nuk këndon për Porsche, por këndon për fiq në blender dhe për marihuanën të tipit “Cat Piss” që e tymosë. Konsumimi i marihuanës për Rinesën, si për shumicën e të rinjëve, nuk është spektakël, është thjeshtë përditshmëri. ,  Megjithatë, njëjtë si reperët tjerë, poezia e Rinesës përmban lavdata dhe pozicionim, të cilat i bën herë në shqip, herë në anglisht, herë rrjedhshëm e herë papritmas, si p.sh:

    “Une kom dije erudite infinite”, apo “I ate a pussy, se qashtu mu tek”.

    Pos diskursit të dashurisë, poezia e Rinesës karakterizohet edhe nga diskursi i kurbetit, nostalgjisë që largimi nga hapësira e përbashkët sociale shkakton dhe vetë efektet e kësaj nostalgjie. Kjo nostalgji urbane shpesh del në rrafshin konkret. Kësisoj, Rinesa është më urbane sesa urbanja, sepse ajo ka guxim të këndojë për sendviqat e Saçit, Aktashin e Tasligjen, Bregun (e Diellit) e Veternikun. I këndon me mall, të cilin mall as se kuptojnë as se çmojnë ata që nuk kanë jetuar kurrë larg vendit. Është mbase vetë ky mall që i mundëson Rinesës ta pasqyrojë Kosovën ashtu sic edhe është: prej nje vendi prej të cilit tek kur ka ikur ka filluar të krijojë, deri tek një vend që megjithatë Rinesa e mban me vete si bazë të krijimtarisë së saj. Kjo e ndihmon Rinesën që ta pasqyrojë Kosovën dhe vetitë shoqërore në një cilësi më të vërtetë sesa vetë e vërteta, më të idealizuar, më ikonike apo edhe epike.

    E di je tut’ drejt meje me marrë hapa
    Je munu me nalë veten, mos me ni gjana
    Ty tu kanë imponu normat e shoqnisë e atij veni t’vogël, po pritshmëritë e m’dhaja
    E s’ka ma kthim, e njëjta storie deri n’amshim
    Zhytna n’lëngim, pres me lundru me padurim
    Barkës tem i ka hi uji, unë pres shpëtim
    N’çdo agim, n’detaje kapna deri n’perëndim

    Rinesa është artiste në rritje namin e të cilës do ta shohim edhe për të paktën disa dekada. Kjo pikërisht për shkak se ajo publikut nuk i shërben veç artin e saj si rebelim, por pikë së pari veten e saj si rebele, e cila vete e krijon atë art rebelues. Repturat e Rinesës janë po ashtu rebele, ani pse për shkak të butësisë melodike mund të mos duken si të tilla.

    Për mua, repturat janë disi si rrëshqitje nëpër teposhtëze (tatëpjete) të një terreni të egër malor, të cilën reperët e bëjnë me takte dhe taktika të ndryshme. Kështu, p.sh., në këtë teposhtëze, Bim Bimma lëshohet duke bërë gjeste klasike, të pritshme por të realizuara me mjeshtri, duke bërë zig zage me kthesa të sakta, të vërejtshme lehtë, të theksuara e plot kontrast. Vig Poppa, në anën tjetër, paramendoj se do të lëshohej duke bërë kërcime nga një këmbë në tjetrën, dhe, mes tjerash, duke vallëzuar me pompozitetin e valles së Rugovës, pak më ngadalshëm por më theksueshëm, plot stil. Diçka ngjashëm e paramendoj p.sh, edhe babain e repit shqip, UnikKatilin, të cilin e paramendoj duke u lëshuar në këtë teposhtëze duke bërë sallta, herë në duar e herë në këmbë, me ekzibicione që as priten as parashikohen lehtë, meqë, tek e fundit, Viktori ka qenë ai që e ka shtruar vetë këtë terren. Një stil të tretë, natyrisht, e ka repi urban i Ledri Vulës, i cili në sytë e mi në këtë teposhtëze lëshohet sikur skijator i shkathtë e i guximshëm. Apo, edhe Capital G, të cilin e paramendoj me Skateboard, ose Singularin, disi si me sajë. (Përpara se të pyetni, po, për gjithë këta kam dëshirë me shkru, sapo të gjej pak kohë, në mos për tjetër, të paktën me ju humbë pak kohë duke lexu shkrime të gjata dhe mbase për me i motivu reperët me lexu pak më shumë sesa që shkruajnë.)

    Eh tash, në të njëjtën teposhtëze të repit, Rinesa nuk lëshohet njëjtë sikur djemtë; ajo e ka gjetur mënyrën e saj feminine të repit, që jo vetëm që nuk i ngjan stereotipeve të femërores si diçka e dobët dhe më e paktë sesa mashkullorja, por në fakt i shkatërron ato me vetë prezencën e saj. Rinesa, në teposhtëzen e repit lëshohet me paraglajd, duke mos prekur fare nëpër terrenin e egër mashkullor por duke e ndërtuar trajektoren e saj origjinale prej krijueseje e cila përket në teposhtëzen e repit po aq sa teposhtëzja i përket asaj. Kësisoj ajo valvitet herë poshtë e herë lartë, herë melankolike zemërthyer e fragjile që të trishton në empati, herë një bitch zemërthyese që ti qin robt, duke mbajtur distancë dhe duke treguar autentizëm në vetëbesimin e repturës së saj.

    “I’m still that bitch – prej aktashit n’veternik… prej Drenices n’Amerikë.

    Kështu, në këngën time të preferuar “Brr-Brrski”, p.sh., reptura e Rinesës ka një rrjedhë jashtëzakonisht të kontrolluar. Saktësia e saj në fragmentizimin e rrokjeve nëpër goditje tingujsh e bën atë repere të cilësisë botërore. Kurse temat e saj janë tema për Drenicë e Prishtinë.

    It’s been a ëhile man… jena rritë n’presion
    Na kan’ shkelmu njerzt për tokë kur jena kon, little bitches
    Netët e gata ditët hala ma shumë
    Nana n’punë 24/7, dy herë a e kom pa n’javë
    E qat boshllëk s’un pe msheli unë hala

    Kurse, në një këngë tjetër, p.sh., në “Asnihere Mjaftushëm” këndimi i saj arrin thuajse në një soul magjepsës, apo në një variant të antifolkut modern.

    Cdo natë, tu ti afru krahët
    Shlirë te unë ke kajtë tu t’majtë, yeah, po asniherë mjaftushëm
    Su kon, as hanën me ta dhonë, shе’jë te ti s’kish lon
    Gjith’ tu m’injoru e tu m’folë idhnushëm

    Fluturimi i Rinesës, sjell dy gjëra për të cilat fliste miku im i ndjerë dhe pionieri i paraglajding në Kosovë Artan Venhari – ndryshimin e perspektivës dhe qetësinë që sjellë fluturimi. Rinesa përmes kësaj rrëshqitjeje fluturuese nëpër rep, e cila amplifikohet me goditjet moderne dhe me grimca tingujsh hapësire e ambienti që ngërthen muzika e saj, bën akrobacione të jashtëzakonshme, të cilat thjesht ta zgjerojnë të konceptuarit e repit si dicka dydimensionale e mashkullore në diçka shumëdimensionale e shumëngjyrëshe, jashtëzakonisht të bukur. Dhe këtë e bën me qetësi të brendshme që i garanton asaj vetëbesimin e zotërave të Greqisë Antike, në fjalët e saj: “n’dhomë, vetë, tu ngu Frank Ocean”.  

    Frank Ocean, në fakt, shihet ashiqare të ketë qenë influencë e rëndësishme për Rinesën. Megjithatë, për dallim prej Ocean i cili sjell grimca të kulturës hiphop në të kënduarit soul, Rinesa bën thuajse të kundërtën, duke sjellë soulin dhe grimca të një version të saj R&B në të kënduarit rep. Kësisoj, teksa tingujt e këngëve të saj ngjajnë më shumë në trip-hop me ndërhyrje të elektronikës së qetë, repturat e saj marrin formë mes të kënduarit dhe të pështyerit e rimave, duke arritur kështu t’i bëjë për vete adhuruesit e të dyjave. Për ta bërë një mozaik të tillë të dromcave kulturore të kapshëm, të këndshëm dhe të dashur për publikun, megjithatë, duhet më shumë talent sesa mjeshtri. Në një rrafsh global, një gjë të tillë p.sh. e pati bërë Michael Jackson, i cili ani pse nuk shpiku zhanër të ri muzikor, krijoi një paradigmë virtuale e cila fillon dhe përfundon me të por ndikon patjetërsueshëm në gjithë krijimtarinë e kohës. Të njëjtën, brenda një kohe të shkurtë, do të mund ta bëjë Rinesa, të paktën në universin e muzikës zbavitëse shqip, ani pse talenti i saj nuk do duhej të kufizohej veç në këtë univers. Talent ka mjaftueshëm, tepër madje, sa që rrezaton përtej tekstit, diskursit multimodal, e aftësisë për të përçuar emocion të plotë, lakuriq. Jo atë krijesën e natës që na e solli virusin korona por cullak, pra emocion cullak, pa kurrfarë pengesash të hapësirës a kohës.

    Natyrisht, në fund, më duhet të reflektoj pak në vetë këtë tekst për të parë sa subjektiv jam në vlerësimin e një krijimtarie që e pëlqej dhe e vlerësoj. Por të gjitha këto gjykime, qofshin veç prej një studiuesi të shoqërisë si puna ime që kulturën e konsumon më shumë sesa që e kritikon, të paktën deri tash, vlejnë vetëm dhe vetëm nëse Rinesa nuk ndalet së krijuari. Veç nëse Rinesa me të vërtetë i përkushtohet zhvillimit të mëtejmë të saj, njerëzor e kulturor, letrar e artistik, por mbi të gjitha zhvillimit të aftësisë së saj për të ndërtuar një hapësirë krejt të re të kreativitetit artistik.

    Për këtë, patjetër se Rinesa ka nevojë për përkrahje. Përveç kënaqjes me artin e saj, i cili art, për të mbetur origjinal, autentik dhe i shkëlqyeshëm sic shihet se mund të jetë, ajo ka nevoje që të mos bëhet pjesë e skemave, interesave e influencave që e kanë qaraveshë sferën e muzikës argëtuese shqipe. Këtë dhe ka vendosur ta bëjë, duke debutuar në skenë si artiste e pavarur. Këtë po e bën edhe tash, duke kërkuar ndihmën tonë financiare. Rinesën mund ta përkrahni përmes donacioneve të drejtpërdrejta në PayPal. Meqë ajo nuk e shet muzikën e saj, në asnjë kuptim të fjalës, kjo është e pakta që mund të bëjmë për të. Dhe, besoni ose jo, ajo i falënderon personalisht gjithë përkrahësit.

    Ky shkrim është huazuar nga S’bunker

    Rinesën mund ta mbështetni këtu: https://paypal.com/paypalme/rinesance

    Ndërsa mund ta dëgjoni këtu:

    https://youtube.com/channel/UCjesnJkZt8UkJyrUll3LËaA
    https://open.spotify.com/artist/3OghFcKtuFyË3OAGfe2buP?si=5das15-LTBed8KtlQz0nxQ
    https://www.youtube.com/watch?v=XYygaDVpJuA


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark