Insajderi
Insporti

Refuzon Realin dhe Bayernin, ylli i PSG-së vendos të vazhdojë aventurën në Paris

Insajderi
08 July 2026 - 23:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Refuzon Realin dhe Bayernin, ylli i PSG-së vendos të vazhdojë aventurën në Paris
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Fabian Ruiz ka vendosur ta vazhdojë karrierën te Paris Saint-Germain, duke arritur marrëveshje për një kontratë të re me kampionët e Francës.

Mesfushori spanjoll raportohet se ka refuzuar interesimin e dy gjigantëve evropianë, Real Madridit dhe Bayern Munichut, për të qëndruar në Paris, aty ku ka arritur të fitojë trofe të rëndësishëm si në garat vendore ashtu edhe në arenën evropiane.

Ruiz pritej të hynte në vitin e fundit të kontratës së tij, situatë që kishte zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë. Megjithatë, sipas mediumit francez “RMC Sport”, PSG ka siguruar vazhdimin e bashkëpunimit me 30-vjeçarin, i cili iu bashkua klubit nga Napoli në vitin 2022 për shumën prej 22.5 milionë eurosh.

Gazetari Fabrice Hawkins ka raportuar se Ruiz ka pranuar një zgjatje njëvjeçare të kontratës, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Para këtij rinovimi, mungesa e një konfirmimi zyrtar kishte shkaktuar spekulime të shumta në tregun e transferimeve.

Mediat spanjolle kishin raportuar se Real Madridi e konsideronte Ruizin si një zgjidhje ideale për të mbushur hapësirën e krijuar pas largimit të Toni Kroos, ndërsa Bayern Munichu po përgatitej të paraqiste një ofertë nën vlerën e 40 milionë eurove.

Të dy klubet e vlerësonin përvojën dhe cilësinë e mesfushorit spanjoll, i cili deri tani ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe katër tituj kampion me PSG-në.

Ruiz është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë në sistemin e trajnerit Luis Enrique.

Vetëm gjatë sezonit të kaluar, ai zhvilloi 34 paraqitje në të gjitha garat, prej të cilave 20 në Ligue 1 dhe nëntë në rrugëtimin triumfues të PSG-së drejt trofeut të Ligës së Kampionëve.

Në një sezon të ngarkuar, ku PSG mori pjesë edhe në Kupën Interkontinentale të FIFA-s dhe Superkupën e UEFA-s, Ruiz regjistroi dy gola dhe pesë asistime, duke kaluar gjithsej 2.122 minuta në fushë.

Mesfushori ka një përvojë të madhe edhe me kombëtaren e Spanjës, me të cilën ka fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve.

PSG e konsideron rinovimin e tij një hap të rëndësishëm për të ruajtur bazën e lojtarëve që kanë sjellë sukses dhe për të vazhduar synimin për dominim në Francë dhe Evropë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark