Remitencat përmirësuan standardin jetësor në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Remitencat përmirësuan standardin jetësor në Kosovë

    Insajderi
    11 June 2016 - 19:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shuma prej mbi gjysmë miliardë euro në vit që hyjnë në Kosovë nga qytetarët e këtij vendi, të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, mund të ketë ndikuar që konsumi për kokë banori të shënoje rritje.

    Rritja e konsumit, rrjedhimisht, ka përmirësuar kështu edhe standardin jetësor të qytetarëve të këtij vendi.

    Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rritjen e konsumit kanë ndikuar shumë faktorë, por faktori kyç është vazhdimi i dërgesave nga diaspora.

    “Kjo rritje ka ardhur si rezultat i vazhdimit të nivelit të lartë të dërgesave nga ana e diasporës, pastaj rritja e pagave në sektorin publik, fillimi i dhënies së kontributeve për veteranët e luftës, rritja e asistencës sociale, dhe të gjitha këto kanë ndikuar që konsumi i përgjithshëm të jetë më i lartë sesa në vitet paraprake”, thotë Gashi.

    Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare të publikuar nga Agjencia e Statistikave rë Kosovës kishte vënë në pah rritje të konsumit për kokë banori për mbi tre për qind në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014.

    Nga rezultatet e dala nga ky publikim, konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015 ishte 2,461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7,503 euro, si dhe për kokë banori 1,432 euro.

    Këto të dhëna mbi konsumin e përgjithshëm, eksperti i ekonomisë Naim Gashi i thekson si një nga shtyllat kryesorë të ekonomisë në Kosovë, pasi që, siç sqaron ai,sa më i lartë të jetë konsumi, rritja ekonomike dhe pagesat për arkën e shtetit janë më të larta.

    Ndërkaq, rritja e të ardhurave për kokë banori në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, sipas Gashit, është rezultat i rritjes ekonomike.

    “Mendoj që edhe në këtë vit do të kemi rritje të konsumit për arsye se vetëm është futur në funksion skema për pagesat e veteranëve të luftës, pastaj kemi një rritje të shkallës së investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë dhe kemi një trend të vazhdueshëm të të ardhurave nga diaspora, remitencat”, shton Gashi, shkruan REL.

    Në anën tjetër, profesori i ekonomisë Isa Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se gjendja e rëndë ekonomike e shumë familjeve në Kosovë ka alarmuar familjarët e tyre që jetojnë jashtë vendit që të ndihmojnë ata duke iu dërguar para.

    Ai thotë se standardi jetësor i qytetarëve nuk mund të jetë përmirësuar gjatë viteve të fundit.

    “Dyshoj në të dhënat e ASK-së, a janë reale apo të imagjinuara duke u bazuar në ngritjen e çmimit të konsumit të përgjithshëm ushqimor nuk mund të ketë ngritje të konsumit të përgjithshëm. Qytetarët e Kosovës janë duke jetuar në kushte të vështira ekonomike. Nëse bëhet liberalizmi i vizave, ne do të shohim se do të kemi një ikje nga Kosova, pikërisht për shkak të standardit të ulët jetësor “, thekson profesor Tahiri.

    Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve ku në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

    Një studim mbi remitencat në Kosovë, i bërë kohë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remitenca prej familjarëve.

    Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark