‘Remzi Huruglica’- Dosja e të vetëshpallurit agjent i AKI-së që dyshohet se planifikoi edhe vrasje e dallavere të rënda me prona - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    ‘Remzi Huruglica’- Dosja e të vetëshpallurit agjent i AKI-së që dyshohet se planifikoi edhe vrasje e dallavere të rënda me prona

    Insajderi
    13 December 2024 - 16:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dallavere me prona. Tentim për ta bindur një person që të ekzekutonte dike tjetër me arsyetimin që është ‘spiun i Serbisë’. Paraqitje si agjent i AKI-së. Krejt janë këto, por jo vetëm, dyshimet që rëndojnë mbi Remzija Bejiç i arrestuar ditë më parë. Insajderi sjell detaje nga dosja e deponuar në Gjyq

    Visar Duriqi

    Jetonte prej kohësh në Kosovë, por dokumentet i kishte veç të Republikës së Serbisë. Me banesë ishte me qira në Fushë Kosovë.

    Jo pak njerëz e njohin si tuxhar i tokave, por nuk del që ka shitur shumë prej tyre. Por, disa thonë që u është paraqitur si zyrtar i lartë i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), por nuk shkon gjithë në zyrë se ka pasur para do kohe një problem shëndetësor, por flet direkt me Drejtorin.

    Dosja e shtetit kundër Remzija Bejiçit, një kopje të së cilës e ka siguruar Gazeta Insajderi, shpalos një individ që sipas hetimit kishte shuar aq larg sa të propozonte edhe vrasjen e një zyrtareje të shtetit duke tentuar që ti bindte shokët që po punon për interesat e Republikës.

    Remzija Bejiçit, ka edhe identitetin Remzi Meiqi, por nga njerëzit njehej edhe si Remzi Huruglica.

    Ai ka pasur një profil në Facebook, por me dy mbiemra. Ai ka qenë i njohur me mbiemrin Huruglica, fshati prej ku ai e ka prejardhjen.

    Remzija Bejiçit u arrestua ditë më parë nën dyshimin se është paraqitur rrejshëm si punonjës i AKI-së, që në një rast e ka bindur një shokun e tij që të paraqitet si Shef i Kabinetit të Kryeministrit për ca toka në Mal të Zi, për planifikimin e vrajses së një zyrareje të shtetit.

    Insajderi kishte zbuluar detaje ekskluzive që ditën e arrestimit, por cka ka në dosjën që tashmë është deponuar në Gjyq?

    Vëzhgime ilegale, “donacioni nga Rusia”- si u kap ‘Remzi Huruglica’?

    Remzija Bejiçit kishte pasur një shok, i cili edhe ka shkuar që ta raportonte vet në shtet. Rastin, hetimin, dhe operacionin për kapjen e tij e ka udhëhequr Prokurori i Krimeve të Rënda, Armend Hamiti, që po ashtu njihet si prokuror që ka pasur në vazhdimësi raste të mëdha e të sukeshme.

    Nën udhëheqjen e Prokurorit Armend Hamiti, hetimet ndaj ‘Remzi Huruglicës’ kanë nisur në pjesën e parë të këtij viti.

    Ai u arrestua në dhjetor, ku iu bastis edhe banesa dhe u gjetën edhe prova materiale të vlefshme.

    Por, si kishte operuar ky shtetas i Serbisë, që jetonte në Fushë Kosovë, por nuk kishte shtetësi të Kosovës?

    Shoku që e ka lajmuar në shtet, pasi që u traumatizua nga “muhabeti” i tij se duhej të vritej një zyrtare e shtetit, kishte udhëtuar me të disa muaj.

    Ai ka rrëfyer para hetuesve se për një kohë të gjatë Remzija Bejiçi e kishte bindur që duhet të kontribuonte për shtet, dhe kështu e bindi që me veturën e tij personale, me shpenzimet e tij, dhe duke e rrezikuar atë, ta voziste nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

    Thotë që me direktivat e Remzija Bejiçit kanë shkuar në enklava serbe në Qendër të Kosovës, por edhe në Veri, e ndonjëherë edhe në territorin e Serbisë, afër kufirit me Kosovën, siç thotë ai për të vëzhguar e mbledhur informacione që ‘Remzi Huruglica’ pastaj dilte nga votuara dhe ia përcillte Drejtorit të AKI-së.

    Ndonjëherë, thotë dëshmitari, rrinte gjatë duke shkruar në telefon, dhe i arsyetohej se po flet me bazën e AKI-së.

    Krejt këto udhëtime, “kontributi” për shtetit, e që në fakt po e bënte për Remzija Bejiçin thotë se i kanë kushtuar mbi 10 mijë euro: naftë, ushqim e shpenzime të tjera.

    E ku ishte pika e thyerjes që shoku më nuk i besoi se ‘Remzi Huruglica’ po rren që është zyrtar i AKI-së?

    Ai thotë që një moment i thotë se ka marr informacion se një donacion ka ardhur nga Rusia. Se në këtë është e përfshirë një zyrtare e qeverisë. Se e njëjta po shkon në Kopaonik e po takohet me zyrtarë të shërbimit të Serbisë (BIA).

    Por, tronditëse thotë dëshmitari, ishte kur i tha që e njëjta duhej të vritej. Madje, në Serbi të kryhej vrasja, por kur ‘Huruglica’ ta vendoste që është koha e duhur.

    “Nga kjo bisedë me Remzi Beiqin dëshmitari deklaron se ka filluar të ketë dyshim tek personi Remzi Bejiqi sepse ne Republikën e Kosovës nuk mund të ekzistoj një planifikim i tillë nga shteti për ta eliminuar-vrare dikë”, iu ka thënë hetuesve dëshmitar- shok i të dyshuarit.

    Vrasja nuk u krye. Dëshmitari u lodh nga sorollatjet me ‘Remzi Huruglicën’, dhe vendosi që ta denonconte në shtet. I tregoi të gjitha.

    Mashtrimi me pronat e Kosovës në Mal të Zi: Shokun e bindi që të paraqitej si njeri i Kryeministrit

    ‘Remzi Huruglica’ ishte “agjenti i mirë i AKI-së” me shumë shokë. Njëri e la i lodhur nga sorollatjet e përcjellje, e madje edhe kërkesa për të vrarë dikë, por një tjetër paksa i besonte.

    Edhe ky shok ka rrëfyer para hetuesve, në rastin që po e udhëhiqte Prokurori i Krimeve të Rënda, Armend Hamiti.

    Remzija Bejiçit njihet si tuxhar i tokave, por jo që ka shitur shumë prej tyre. Madje një shokut, siç e pranon vet ai, ia ka marrë nja 3 mijë euro për shkollim të fëmijëve në emër të një toke që do t’ia shiste, por që kurrë nuk u krye pazari. As borxhin nuk ia ktheu.

    Por, derisa ishte nën përgjime të ligjshme të shtetit, “agjenti Remzi Huruglica” kishte nisur procedurën për t’ia shitur një shtetasit të malit të zi disa toka që Agjencia e Privatizimeve i ka të regjistruara si asete të Republikës së Kosovës në Mal të Zi.

    Raportimet mediale sugjerojnë që janë diku mbi 30 hektarë tokë e shtrenjtë që Kosova pretendon që është e saja brenda Malit të Zi.

    E, shoku që ende i besonte, edhe pse e pranon para hetuesve që “ka qenë budallaki”, thotë se me instruksione të ‘Remzi Huruglicës’ ka folur me shtetasin malazias me mbiemrin Llakovq, dhe nën instruksione të “agjenti të AKI” i ka thënë që : “Po, unë jam Shefi i Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës”.

    Dëshmitari edhe pse pranoi që ka folur me malaziasin me instruksione të “agjentit Remzi”, në anën tjetër e përshkruan çuditshëm.

    “Dëshmitari deklaron se nuk ka pas dëshirë qe të komunikon apo të shoqërohet me personin Remzi Beiqi sepse i është dukur si njeri i dallavereve dhe një lloj mashtruesi”, thotë ai para hetueesve.

    Folën për toka, por pazari as këtu nuk u krye kurrë.

    E kaluara kriminale: Katër vite më parë ishte paraqitur si agjent i AKI-së e ishte hetuar për shantazh

    Remzija Bejiçi që në sistem del edhe si Remzi Beiqi, e në Facebook edhe me këtë emër por edhe me “Remzi Huruglica”, ka pasur edhe pesë raste të regjistruara në sistemin ku regjistrohen veprat kriminale. Vetëm në një rast figuron si i dëmtuar në “lëndim të lehtë trupor’, por në raste të tjera si i dyshuar.

    Madje, në Prokurorinë në Gjilan ai ishte hetuar edhe për shantazh. Edhe atëherë, para katër vitesh, ishte paraqitur si agjent i AKI-së.

    “Remzi BEIQI ka te evidentuara 2 incidente, prej tyre në 4 raste është i evidentuar si person i dyshuar. Në bazë ….në vitin 2015 është i evidentuar si person i dyshuar për veprat penale te lëndimit të lehtë trupor dhe Mbajtje në Pronësi të Armeve, ndërsa ne viti 2020 është hetuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Shantazh”, ku i dyshuari Remzi kishte kanosur dhe shantazhuar persona rreth një prone në Kllokot të cilën ai ka pretenduar te ia kalojnë në pronësi, sipas ankuesit duke u paraqitur si zyrtar i AKI-së”, thuhet në dosjen, një kopje të së cilës e ka Insajderi.

    Çka tha “agjenti i AKI-së” kur u arrestua?

    Remzija Bejiçi u arrestua në fillim të dhjetorit me urdhër të Prokurorit Armend Hamiti. Iu bastis edhe banesa në Fushë Kosovë.

    “Gjate veprimeve hetimore me date 05.12.2024 ne qytetin e Fushë Kosovës është ndaluar dhe është arrestuar i dyshuari i rastit Remzija Bejic i lindur me ….1971 ku pas arrestimit me urdhër verbal te Prokurorit Armend Hamiti është bastisur banesa ku jeton i dyshuari Remzija Bejic me qira janë gjetur dhe sekuestruar dokumentacione të ndryshme në emër të personave tjerë”, thuhet në dosjen e deponuar në Gjyq.

    I dyshuari Remzija Bejiç me pas është shoqëruar për intervistim ne cilësinë e te dyshuarit ne prezencën e avokatit mbrojtës te caktuar nga vete ai.

    Por, çka tha ai në intervistë?

    Ai, para hetuesve deklaron se është prezantuar tek disa persona si bashkëpunëtor i Agjencisë se Kosovës për inteligjencë (AKI).

    “I njëjti deklaron se personin (që e denoncoi) e ka shok qe 20 vite dhe një rast i ka thënë se është bashkëpunëtor i AKI-së. Deklaron se me të ka qenë në Serbi, në Mal të Zi për disa prona, sipas tij në një rast ka qenë edhe në Kopaonik se bashku me të pasi që sipas mediave ushtria e Serbisë është afruar afër kufirit dhe për këtë arsyeje kanë shkuar për të shikuar se a është e vërtet ajo se çfarë po flitet nëpër media”, u kishte thënë hetuesve “Remzi Huruglica’.

    Ai tutje para tyre  deklaron se nuk ka shkuar në Kopaonik si bashkëpunëtor i AKI-së, por vetëm si qytetar nga kureshtja.

    Gjate intervistimit i njëjti e pranon se si bashkëpunëtor i AKI-se i është prezantuar edhe personave të tjerë, dhe i përmend disa nga ta, por sipas tij te gjithë këta persona kanë qenë në dijeni se nuk është bashkëpunëtor i AKI-së mirëpo këtë e ka thënë në formë të humorit.

    Lidhur me planifikimin për vrasjen ai ka deklaruar zyrtaren një fjalë nuk e njeh, “mirëpo për këtë person i kishte treguar shoku i tij pasi duke i thënë se kjo është zyrtare e AKI-së dhe takohet me zyrtarët e BIA-se Serbe në Kopaonik”.

    I njëjti nuk e ka pranuar para hetuesve të ketë biseduar asnjëherë lidhur me eliminimin apo vrasjen e saj.

    “I njëjti gjate intervistirmit e pranon se merret me ndërmjetësimin e shitblerjeve të pronave, por nuk e pranon që ka mashtruar ndonjë person lidhur me këto ndërmjetësime përveç njërit ku gjatë një ndërmjetësimi nga i njëjti i kishte marr 3000 euro borxh me qëllim të shkollimit të fëmijëve dhe të njëjtit nuk ja kishte kthyer asnjëherë dhe pse marrëveshja për pronën për te cilën kanë bisedua asnjëherë nuk është arritur”, thuhet në dosje.

    I dyshuari deklaron se personit …. të cilin e ka shok, i kishte kërkuar përmes telefonit që ti prezantohej si Shef i Kabinetit të Kryeministrit personit me emrin Llakovic nga Mali i Zi me qëllim të kthimit te aseteve/pronave te Kosovës në Mal te Zi, “ku vlera e tyre është 250.000.00 (dyqind e pesëdhjetë mijë) euro. I njëjti deklaron se personi … ka biseduar përmes telefonit me personin Llakovic dhe është prezantuar si Shef i Kabinetit të Kryeministrit”, thuhet në dosje.

    Pasi që Policia e Kosovës kishte ndërmarrë të gjitha hetimet, ishte njoftuar Prokurori i Prokurorisë Themelore ne Prishtinë, Departamenti i Krimeve te Renda, Armend Hamiti, i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit Remzija Bejic te iniciohen rastet “Përgatitja e veprës penale Vrasje nga neni 172 lidhur me nenin 27 te KPRK-së. “Prezantimi i rremë si person zyrtar nga neni 409 i KPRK-së dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së.

    Gjykata ka vendosur një muaj paraburgim, për të siguruar prezencën e tij në procedurë./ Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark