“Reporterët pa Kufij” të pakënaqur me MINT: Mbyllja e Klanit do të ndikojë negativisht në lirinë e shtypit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Reporterët pa Kufij” të pakënaqur me MINT: Mbyllja e Klanit do të ndikojë negativisht në lirinë e shtypit

    Insajderi
    14 July 2023 - 17:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pavol Szalai, Shef i Zyrës së BE/Ballkanit i organizatës “Reporterët pa Kufij” (RSF), ka thënë se janë duke i përcjellë zhvillimet që lidhen me rastin e televizionit Klan Kosova.

    Në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, Szalai ka thënë se rasti i suspendimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosova sh.p.k. e ka shqetësuar shumë organizatën që e përfaqëson.

    Zyrtari i lartë i RSF ka thënë po ashtu se në rast se mbyllet Klan Kosova, kjo do të ndikonte negativisht në lirinë e shtypit.

    Ndër të tjera, ai thotë se kanë pranuar një përgjigje nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në lidhje me këtë çështje, por shton se ajo “nuk është aspak e kënaqshme” pasi, sipas Szalait, nga ky dikaster pranohet se suspendimi i licencës nuk është vendim final.

    “Për ne, Ministria nuk ka arritur që ta arsyetojë mjaftueshëm vendimin e marrë dhe konsiderojmë së është ky vendim është marrë në mënyre jo të ligjshme”, ka thënë ndër të tjera Pavol Szalai, Shef i Zyrës së BE/Ballkanit i organizatës “Reporterët pa Kufij” (RSF).

    Lexojeni të plotë intervistën me Pavol Szalai, Shef i Zyrës së BE/Ballkanit i organizatës “Reporterët pa Kufij” (RSF):

    InfoMagazine: A i keni përcjellë zhvillimet rreth Klanit? Cili është vlerësimi i Reporterëve pa Kufij rreth kësaj çështjeje?

    Szalai: Nga afër jemi duke i përcjellë zhvillimet që lidhen me televizionin Klan Kosova dhe kemi qene shumë të brengosur për krejt atë se çfarë kemi parë këtyre ditëve qe ka të bëjë me suspendimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova.

    InfoMagazine: A keni kontaktuar me zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë. Çfarë kërkoni nga qeveria e Kosovës?

    Szalai: Për këtë çështje kemi kontaktuar ministrinë e Tregtisë dhe të Ndërmarrësisë në Kosovë dhe ndërkohë kemi marrë një përgjigje që nuk është aspak e kënaqshme ku ndër të tjera nga ky dikaster pranohet se suspendimi i licencës nuk është vendim final.

    Për ne, Ministria nuk ka arritur që ta arsyetojë mjaftueshëm vendimin e marrë dhe konsiderojmë së është ky vendim është marrë në mënyre jo të ligjshme.

    InfoMagazine: Çfarë kërkoi nga qeveria e Kosovës? A i kanë dëgjuar thirrjet tuaja?

    Szalai: Ndërkohë, po presim që vendimi të ripërpunohet dhe të pranohet plotësimi i dokumentacionit të kërkuar për certifikatën e televizionit nga ana e komisionit në kuadër të ministrisë dhe kjo është ajo që ne shpresojmë të ndodh dhe po ashtu kjo është ajo çfarë ne së bashku edhe me organizata tjera ndërkombëtare të lirisë së shtypit kërkojmë, sepse kjo është shumë me rendësi për të ardhmen e lirisë së shtypit në Kosovë.

    InfoMagazine: Ju monitoroni Ballkanin dhe shtetet tjera. Në çfarë vende ka iniciativa të ngjashme, çfarë dmth kjo për Kosovën?

    Szalai: Në Ballkan, iniciativat për të mbyllur një medium të caktuar janë shumë të rralla. Për këtë, kjo situatë është shumë serioze, sepse Kosova bën pjesë në mesin e tri shteteve në Ballkanin Perëndimor ku kemi parë një potencial për ndryshim. Kam qenë në Kosovë vitin që shkoi dhe kam parë se sa dinamik dhe pluralist është tregu mediatik nga ndryshimet politike dhe ligjore që janë bërë në të kaluarën nga autoritetet. Por, nëse Kosova nuk ofron garanci për të zhvilluar media të lira dhe të drejtën për të informuar, liria e shtypit do të bjerë.

    Janë tri shtete tjera si, Bosnja, Serbia e Shqipëria ku gjendja e shtypit të lirë është më keq së në Kosovë. Derisa Kosova bën pjesë në grupin e shteteve si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut që renditën më mirë, konsideroj se me këto zhvillimet e fundit rreth Klan Kosovës, shteti i Kosovës është në një pikë kritike.

    Dua të shpreh mbështetjen time për Klan Kosovën si njëri prej burimeve kryesore të informacionit pluralist të pavarur për qytetarët e Kosovës.

    InfoMagazine: Ju e shkruani indeksin e lirisë së mediave ku rangoni shtetet. A do të ndikojë kjo në rangimin e Kosovës?

    Szalai: Nuk mund të them se si do të renditet Kosova vitin e ardhshëm në indeksin e shtypit të lirë,

    Por dua të kujtoj se në raportin e fundit për këtë vit që e kemi publikuar në maj, Kosova renditet në vendin e 61 në mesin e 180 shteteve, që tregon për një progres të vogël përfshirë këtu qasjen në informacione, po ashtu mjedisi politik është më i mirë se në shtete tjera.

    Në anën tjetër jemi shumë të shqetësuar për sigurinë e gazetarëve që raportojnë prej pjesës veriore të Kosovës ku ka pasur shumë sulme ndaj tyre, muajt paraprakë dhe fundvitin e kaluar. Veç kësaj, shpreh shqetësimin tonë po ashtu edhe për sulmet politikë që janë bërë ndaj mediave. Kështu që shpresoj se kriza aktuale rreth Klan Kosovës nuk është sulm politik ndaj mediave në Kosovë dhe që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejtë në të mirë të Klan Kosovës dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi.

    InfoMagazine: Por, me gjithë këto zhvillime, a konsideroni se do të ndikojë megjithatë kjo në renditjen e Kosovës në indeksin të cilin ju e përgatisni për vitin që vjen?

    Szalai: Shiko, nëse televizioni më i madh në një vend mbyllet për arsye politike, kjo sigurisht se do të ndikojë negativisht në lirinë e shtypit dhe në renditjen e atij shteti në indeksin për Lirinë e Medies. /Klankosova.tv


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark