Kastriot Frashëri
Nga haberet e drekës të medias mësojmë se në Republikën e Bananeve, e cila pritet që me nënshkrimin sot të protokollit bilateral ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, t’i hapë rrugën pasnesër fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nën Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së, për të mbledhur menjëherë Konferencën e parë Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE.
Sot ka ndodhur çudia e radhës shqiptare në Portin e Durrësit, ku është gjetur i hapur pa plumbçet e sigurisë kontejneri me banane para skanimit, ku nga të dhënat e para mungojnë rreth 50 arka me banana, të cilat dyshohet se kanë qenë të mbushura me drogë (kokainë). Sipas një përllgaritje të shpejtë nga historia e dhjetorit të vitit të kaluar, ndodhi e njëjta histori, por që nga nxitimi lanë pas 7 arka me 119 kilogramë kokainë. Në referencë të kësaj llogarie, nëse një arkë mban brenda saj diku 17 kilogramë kokainë dhe në 49 arkat që mungonin dje në Durrës mund të ketë patur deri në 833 kg kokainë.
Për këtë akt skandaloz të ndodhur në sy të gjithë agjencive ligjzbatuese, që cënon rëndë sigurinë kombëtare, janë arrestuar 20 persona në portin e Durresit, si pjesë e shoët të radhës për justifikimin publik të skandalit. Pa llogaritur këtu edhe atentatin tek mbikalimi i Fushë-Krujës, ku atë që nuk e bënte dot SPAK prej muajsh për të arrestuar një bandit, e bënë dy apo tre vrasës të tjerë me pagesë.
Republikë Bananesh apo “Bana King”, pak rëndësi ka forma e regjimit kleptokrat që kemi. Rëndësi ka metoda se si mund të shkohet në këtë derexhe të shqyer në Europë?!
Një gjë dihet me siguri, se, sot Edi Rama, ka ndërtuar me mund e besim të tepruar tek vetja e tij, një infrastrukturë institucionale kombëtare, që natyrisht shkon përtej standardeve të sigurisë publike, nga ku për rjedhojë mund të ndodhë gjithçka. Të bësh çfarë të duash e nuk të thotë kush dy fjalë, përkundrazi amnistohesh në këtë Crazy Republic (nuk bëhet fjalë për librin tim botuar në vitin 2011), ndaj mos prit kurfarë ekspertize për zbulimin e së vërtetës dhe krimit se gjithçka është e rrethuar nga injoranca, e në fund gjithçka mund të shembet brenda minutës, ashtu si një perandori e ngritur me rërë…
Shihni sot portalin qeveritar të shërbimeve publike e-Albania është në Black Out bashkë me atë të Kryeministrisë dhe faqet e shumë institucioneve kryesore të shtetit. Por jo vetëm kaq!? Mos haroni edhe sistemin e drejtësisë që është në prag të falimentit! Oh…! Çfarë po thua o njeri?! Ne sot kemi dërguar delegacionin tonë në Bruksel për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE! Pse jo, ne na pranon Europa dhe Amerika kështu siç jemi!
Kjo është Shqipëria!